Refleksionet e studiuesit të njohur: Ndërsa britanikët miratuan planin e kryengritjes nën drejtimin e Zogut dhe Abaz Kupi në Turqi, në momentin e fundit kryeministri grek…

refleksionet e studiuesit te njohur ndersa britaniket miratuan planin e kryengritjes nen drejtimin e zogut dhe abaz kupi ne turqi ne momentin e fundit kryeministri grek





































zogu-Mbreti Zog dhe tentativa për një triumf të dytë të Legalitetit në Shqipëri –

Triumfi i Legalitetit i 24 dhjetorit të vitit 1924, shënon një pikë kthese në politikën shqiptare, por padyshim ajo mbetet pika kulminante e Ahmet Zogut si politikan. Ai ishte politikani dominues në vend, gjatë viteve ’20 – ‘24, pushtetmbajtësi më jetëgjatë dhe pas largimit në ekzil, ia doli sërish të triumfojë, duke marrë kontrollin e gjithë territorit dhe duke vendosur legjitimitetin në vend. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, do të niste një tjetër ekzil politik për Mbretin Zog, i cili krejt ndryshe nga i pari, do të ishte në shumë avantazhe të tij.

Fillimisht, Mbreti Zog i Parë, i rezistoi çdo tundimi italian, për ta kthyer Shqipërinë në një protektorat të Italisë, edhe pse i premtonte atij sërish kurorën e vendit. Në ato ditë të vështira të prillit ’39-të, Mbreti ia doli që të fitojë betejën morale me opinionin botëror dhe sidomos me median ndërkombëtare.

Dokumentacioni i zbuluar së fundmi në Arkivin Britanik, sygjeron pa asnjë ekuivok se, Mbreti Zog, dhe për më tej Shqipëria, u kthye në një viktimë e situatës së rënduar ndërkombëtare. Në datën 10 prill, pra ditën e hënë dhe tre ditë pasi kishte nisur pushtimi i Shqipërisë, qeveria britanike nisi mbledhjen e saj, në lidhje me situatën në Shqipëri.

Zyrtarët britanikët nuk e pranuan në heshtje këtë pushtim, krejt ndryshe nga sa besohet sot, por e përdorën këtë pushtim, në disa favore të britanikëve në pellgun e Mesdheut. Në kujtimet e veta, kryeministri Chamberlain, thotë që Musolini, u soll si një gjarpër. Churchilli, ende pa një poste, do thoshte se tashmë Lufta e Dytë Botërore, ishte në prag.

Me pushtimin e Shqipërisë britanikët, duket se vijuan me frymën e Traktatit të Mynihut, me dëshirën se duke kënaqur italianët, do të shmangin një luftë botërore. Në bisedat e treguar në mbledhjen e kabinetit me Kontin Çiano, Italia garantonte se nuk do të prekte Greqinë, apo Jugosllavinë, do tërhiqte trupat nga Spanja e Frankos, si dhe do të largonte disa forca ushtarake në disa ishuj të vegjël në Mesdhe.

Krejt në mënyrë keqdashëse dhe duke vepruar në dritëshkurtësi, qeveritë fqinjë, të Jugosllavisë dhe Greqisë, nuk reaguan, ndonëse një armik potencial e kishin tashmë në kufi. Ky realitet tregon pasqyrën dhe real-politikën në marrëdhëniet ndërkombëtare, në prill të vitit 1939.

Pas një udhëtimi mbi një vjeçar në Europë dhe me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, Mbreti Zog u vendos në Britaninë e Madhe, me idenë e ngritjes së qeverisë së tij të mërgimit dhe organizimit të rezistencës në Shqipëri.

Dokumentacioni britanik i kohës për aktivitetin e Mbretit Zog gjatë këtyre viteve, është mbi tre mijë faqe, ku evidentohet një aktivitet mjaft i dendur i Mbretit Shqiptar. Krejt ndryshe nga Mbretërit e tjerë që u njohën zyrtarisht në Britaninë e madhe, si qeveri në mërgim, Mbreti Zog, ishte i vetmi që arriti të realizojë një tentativë reale, për kryengritje të armatosur në Shqipëri.

Plani britanik për lëvizje të armatosur

Ndonëse britanikët pranuan që Mbreti Zog të zhvendosej në Britani, ata nuk i dhanë vëmendjen e duhur atij, që në fillim. Madje lëvizjet e Zogut, u bëheshin të ditur italianëve. Britania kishte ende shpresa se Italia, nuk do të futej në luftë por, pas pushtimit të Francës nga Gjermania, në verën e vitit 1940, italianët i shpallën luftë Britanisë.

Pikërisht në këtë moment, një zyrë e veçantë për luftën guerile tepër sekrete, ngrihet në Britani, e njohur si SOE (Special Operacional Executive) ose Ekzekutimi i Operacioneve Speciale. Ngrihet një zyrë për rezistencën në Shqipëri, e drejtuar nga Malkolm Marr.

Në këtë pikë, Mbreti Zog shfaqet si pika më e rëndësishme Britanikëve, për të krijuar rezistencën në Shqipëri dhe realizohet një plan tepër konkret. Në këtë zyrë, pesë oficerët britanikë që kishin punuar në Shqipëri gjatë Mbretërisë së Zogut, për organizimin e xhandarmërisë, si gjenerali Persi, Bill Barkook, që kishte punuar me Persin dhe një njohës i mirë i Shqipërisë, ish-nëpunësi i Anglo Persian Oil Robert Crips.

Erdhën edhe dy oficerë të tjerë me emër, si Sterling dhe Martin, të cilët po ashtu kishin punuar në Shqipëri. Një akademik britanik, i quajtur Nikolas Hamond, i cili kishte jetuar një vit në Shqipërinë e viteve ’30-të, me qëllim për të shkruar një libër për mbretin Zog, u bashkua me zyrën dhe ra dakord që drejtonte atë në Athinë. Ai humbi jetën në udhëtimin me anije në Mesdhe, pas një sulmi armik.

Në raportin e tyre për krerët, ata udhëzonin se; Mbreti Zog ishte potenciali i vetëm në vitin 1940 dhe 1941, që mund të krijonte një lëvizje të armatosur. Në fund të vitit 1940, kur Italia sapo i kishte shpallur luftë Greqisë, Mbreti Zog, shpallet prioritet nga britanikët. Puna nisi menjëherë për krimin e dy fronteve, një në Veri dhe një në Jug. Në veri do të sulmonte Gani Kryeziu dhe në Jug, Mbreti Zog.

Gani Kryeziu ra në kontakt në Beograd me Julian Amerin dhe i mbështetur nga oficeri Oklai Hill, vendosën që të kryejnë kryengritje në Veri. Ai mblodhi afërisht 500 forca, u vendos një fond prej 40 mijë sterlinash, në ar. Sulmi nisi në Veri, dhe Gani Kryeziu ra dakord që të pushtojë Kukësin dhe ta shpallë atë si zonë e administruar nga qeveria e Mbretit Zog.

Por sulmi i tij nisi në prill 1941, kur gjermanët sapo kishin nisur pushtimin e Jugosllavisë. i ndodhur mes dy frontesh, ai dështoi. Gani Kryeziu me të vëllain, Saidin, u internuan në Itali, ndërsa oficeri britanik Oklai Hill, u arrestua nga Gjermanët.

Ndërsa në Jug, puna nisi me ambicie edhe më të madhe. Mjaft shqiptarë në Stamboll u bënë gati, me në krye Abaz Kupin. Inteligjenca ushtarake e Britanikëve, besonte se Mbreti Zog, do të kishte 80 % shanse, të dilte me sukses. Por në momentin e fundit, kryeministri grek, Metaksai, ndërhyri duke kërkuar anulimin e këtij plani.

Në pranverën e vitit 1941, trupat greke kishin nisur ofensivën e kishin hyrë në Shqipëri dhe nuk kërkonin që ta lëshonin më këtë territor. Në këtë situatë, dhe nën këmbënguljen e grekëve, britanikët njoftojnë Mbretin Zog në momentin e fundit, që të mos udhëtojë me avion drejt Kajros. Në një farë mënyre ishte fat, sepse ai avion u rrëzua në Mesdhe dhe gjithë ekuipazhi humbi jetën.

Pse nuk u njoh qeveria e Mbretit Zog në mërgim?

Mbreti Zog ishte udhëheqësi i vetëm i para luftës që ishte strehuar në Londër që arriti të ketë një plan konkret për krijimin e një fronti në Shqipëri. Por kjo nuk shërbeu që ai të njihej zyrtarisht nga britanikët dhe aleatët. Ndonëse ai kishte këtë avantazh, madje edhe dëshirën e të gjithë emigracionit politik shqiptar që Zogu të ishte kreu i tyre, britanikët nuk e njohën.

Kjo ndodhi për shkak të presionit të dy aleatëve të tjerë të britanikëve, si Jugosllavia dhe Greqia. Më pas, me hyrjen në luftë të Bashkimit Sovjetik, Mbreti Zog mori edhe një tjetër goditje. Mund të duket habi, por Britania dhe Bashkimi Sovjetik, ndër pak mirëkuptime që kishin, një ndër to, kishte të bënte me Mbretin Zog. Ministri i Jashtëm, Eden, në janar të vitit 1942, takoi ambasadorin sovjetik, ku u fol për Shqipërinë.

U ra dakord që të kishte një shtet shqiptar pas lufte, por sovjetikët kërkuan me ngulm, pa Mbretin Zog. Në dhjetor të vitit 1942, britanikën vendosën për Shqipërinë, që asaj do t’i rishikoheshin kufijtë pas lufte. Në këtë kushte, Mbreti Zog u godit politikisht, sa fati i vendit të tij.

Një tentativë e fundit për mbështetjen e Zogut, u kërkua edhe nga Churchill, por në tetor 1944, kur ai e kërkoi këtë, ishte tepër vonë. Ai harroi të përmendë Shqipërinë në Konferencën e Moskës, dhe iu kujtua një ditë më pas, vetëm për shkak të Mbretit Zog. Dokumentet sugjerojnë se falë rolit të Mbretëreshës Geraldinë, bashkëshortja e Churchill, kishte bërë një lobing të madh pranë të shoqit të saj, që Mbreti Zog të përkrahej.

Përfundime

Analistët britanikë të kohës, që kanë konsultuar edhe dokumente arkivore të Ministrisë së Luftës dhe asaj të Jashtme, e pranojnë edhe vetë se: nëse Mbreti Zog do të ishte përkrahur me kohë, në vitin 1941, atëhere ai do të ishte forca më e rëndësishme ushtarake dhe politike, në Shqipërinë e paslufte.

Është e pamundur që në këtë periudhë, të ndash fatin politik të Mbretit Zog, me atë të vendit të tij, Shqipërisë. Goditja politike ndaj Zogut, duke mos e njohur atë, rrezikoi pozicionin e Shqipërisë, në raport me fqinjët.

Së dyti, mosrealizimi i planit ushtarak, i hapi rrugë një vit më pas, që në skenë të dalin komunistët, ç’ka nëpërmjet lëvizjes ushtarake dhe një lufte civile, morën pushtetin. Nisja e një sulmi në Greqinë e Veriut, në pranverën e vitit 1941, do të ishte një hap vendimtar për Mbretin Zog dhe për vetë vendin.

Edhe sikur Mbreti të kishte dështuar ushtarakisht, në tentativën e vitit 1941, në vitet më pas, mbështetësit e tij me siguri do të ishin më të shumtë. Kjo hipotezë mbështetet edhe nga fakti që Abaz Kupi, kishte mijëra forca në dispozicion, në vitin 1943-‘44.

Këto fakte të nxjerra nga dokumentacioni voluminoz britanik tregojnë, se sa afër ka qenë Mbreti Zog, në një triumf të dytë Legaliteti. I penguar vetëm nga realiteti gjeopolitik, Mbreti Zog, nuk mund dot që të shmangte fatkeqësinë kombëtare që mbërtheu vendin për gjysëm shekulli, që vendi ende e vuan sot, diktaturën komuniste.

Në 90 vjetorin e Triumfit te Legalitetit, legalistët shqiptarë organizuan një akademi solemne, për të përkujtuar këtë ngjarje me rendësi në historinë e Shqipërisë.

M’u dha mundësia të mbaj një kumtesë, mbi një tentativë të Mbretit Zog, për të organizuar një lëvizje të armatosur, në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. Të dhënat dhe faktet e kësaj periudhe, që dalin nga Arkivi Britanik, janë tepër me vlerë dhe mjaft interesante për aktivitetin e Mbretit Zog në mërgim. Memorie.alNga Erald Kapri

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →