“Refuzojnë të sulmojnë armikun”, rekrutët pa përvojë kontribuojnë tek humbja e territorit ukrainas në frontin lindor

refuzojne te sulmojne armikun rekrutet pa pervoje kontribuojne tek humbja e territorit ukrainas ne frontin lindor
refuzojne te sulmojne armikun rekrutet pa pervoje kontribuojne tek humbja e territorit ukrainas ne frontin lindor

Disa prej ushtarëve të rinj të Ukrainës po refuzojnë të sulmojnë armikun. Të tjerët, sipas komandatëve dhe bashkëluftëtarëve, nuk po arrijnë t’i bëjnë gati armët në kohë dhe po hasin vështirësi për të bashkërenduar lëvizjet bazë në fushëbetejë. Disa janë larguar nga pozitat e tyre, duke braktisur fushëbetejën përfundimisht.

Ndërsa Ukraina vazhdon sulmin në rajonin e Kurskut në brendësi të Rusisë, forcat e saj po vazhdojnë të humbasin territor të vlefshëm përgjatë frontit lindor – një tkurrje e zymtë për të cilën komandantët ushtarakë pjesërisht fajësojnë rekrutët e trajnuar dobët, të rekrutuar në valën e fundit të mobilizimit, si dhe superioritetin e qartë të Rusisë me municione dhe fuqi ajrore.

“Disa prej tyre nuk duan të qëllojnë me armë. I shohin forcat armike në pozita sulmi në vijat e mbrojtjes por nuk qëllojnë me armë… Kjo është arsyeja se përse po vdesin ushtarët tanë,” thotë me zemërim një komandant batalioni i Brigadës së 47-të të Ukrainës. “Nëse nuk i përdorin armët, janë të padobishëm.”

Këto janë ngjarje të rrëfyera nga komandantët dhe ushtarët që biseduan me agjencinë e lajmeve Associated Press me kusht që të mos identifikohen, që të flasin lirisht për çështjet e ndjeshme ushtarake. Të tjerët ranë dakord të identifikohen vetëm me gradë, në përputhje me protokollet ushtarake ukrainase.

Komandantët thonë se rekrutët kanë kontribuuar në një mori humbjesh të territoreve që i kanë mundësuar ushtrisë ruse të avancojë, përfshirë në afërsi të qytetit Pokrovsk, një pikë e rëndësishme logjistike. Nëse Rusia e merr nën kontroll këtë qytet, humbja e tij do t’i kushtojë mbrojtjes së Ukrainës dhe do ta sjellë Rusinë më afër synimit të saj të deklaruar për të marrë nën kontroll rajonin e Donetskut. Ushtarët rusë tani janë vetëm 10 kilometra larg.

Ukraina po has në vështirësi edhe për shkak të avantazhit të madh të Rusisë në numrin e ushtarëve dhe gatishmërisë së saj për të pranuar një numër të madh humbjesh në këmbim të arritjes së objektivave të vegjël.

Ukrainasit e rekrutuar rishtas janë shumë më të papërgatitur sesa luftëtarët me përvojë të gjatë në beteja luftarake, të cilët iu bashkuan luftës në vitin e parë të sulmit rus. Ushtarëve të rinj u mungon edhe niveli minimal i stërvitjes, thanë komandantët dhe ushtarët nga katër brigadat që po mbrojnë zonën e Pokrovskit.

Ata përshkruan situata kur u duhet të planifikojnë operacionet me njësitë të këmbësorisë që nuk janë në gjendje të qëllojnë objektiva dhe nuk kanë njohuri bazike të topografisë. Disa rekrutëve thjesht u mungon besimi në planet e betejës të hartuar nga komandantët e tyre dhe po braktisin pozitat e përgatitura.

Të zemëruar me përgatitjen e dobët të rekrutëve të rinj që po dërgohen në vijën e frontit nga qendrat rekrutuese, komandantët tani po kërkojnë që të angazhohen vetë për të mobilizuar rekrutët, në mënyrë që ta bëjnë më mirë verifikimin dhe stërvitjen e luftëtarëve të rinj, sipas disa komandantëve dhe ushtarëve.

“Problemi kryesor është instinkti i mbijetesës i rekrutëve të rinj. Më përpara, njerëzit mund të qëndronin deri në momentin e fundit për ta mbajtur pozicionin. Tani, edhe kur ka bombardime të lehta të pozicioneve, ata tërhiqen”, tha një ushtar i Brigadës 110.

Jo të gjithë i largohen betejës, shtoi ai.

“Jo, ka edhe njerëz të motivuar, por ata janë shumë, shumë pak”, tha ai. “Pozicioni mbahet për sa kohë janë këta njerëz që janë të motivuar dhe të përkushtuar”.

Pas zbatimit të një ligji të debatueshëm për mobilizimin ushtarak në maj që vendosi rregulla më të qarta për qendrat e rekrutimit në terren, Ukraina njoftoi se po mobilizon dhjetëra mijëra luftëtarë të rinj në muaj. Kërkesa më e lartë është për këmbësorinë.

Por ekzistojnë pengesa logjistike për të stërvitur, për të pajisur dhe për të paguar kaq shumë njerëz të rinj, ndërkohë që komandantët kërkojnë vazhdimisht ushtarë të rinj. Për ta lehtësuar këtë trysni, drejtuesve ushtarakë u është dashur të marrin njësi nga brigadat e një rajoni tjetër dhe t’i transferojnë në zona të ndryshme për të stabilizuar pikat e dobëta.

Disa fajësojnë për humbjet së fundmi komandantët që marrin rekrutët e rinj.

Viktor Kevliuk, ekspert ushtarak me Qendrën për Strategjitë e Mbrojtjes, me seli në Ukrainë, tha se programi stërvitor për rekrutët është i mjaftueshëm. Ai tha se komandantët e brigadave “po kërkojnë një shpjegim për dështimet taktike”.

“Gjithashtu, komandanti i brigadës ka mjetet e nevojshme për të ndikuar tek morali. Nëse të gjitha këto procese ekzistojnë në brigadë, nuk do të ketë probleme domethënëse. Nëse këto mekanizma dështojnë, mësojmë për negativitetin nga mediat sociale”, shtoi ai.

Dhe në luftimet intensive, si në Pokrovsk, “janë vendimet taktike në kohën e duhur nga komandantët që mund të bëjnë dallimin”, thotë zoti Kevliuk.

Në disa raste, rekrutët e rinj janë larguar të tmerruar nga luftimet.

“Kjo frikë krijon panik dhe kaos”, tha një komandant batalioni në Brigadën 47. “Kjo është gjithashtu ndër arsyet se përse kemi pësuar humbje”.

Humbja e fshatit Prohres muajin e kaluar në rajonin Pokrovsk është shembulli më i fundit i humbjes territoriale për të cilën janë fajësuar rekrutët e rinj, thanë komandantët. Njësitë e Brigadës 31 u larguan me një lëvizje të pakoordinuar, duke e shtyrë Brigadën 47 që të futej në luftime dhe të përpiqej të stabilizonte vijën e frontit. Një skenar i ngjashëm u pa edhe në fshatin Ocheretyne në maj.

Nuk bëhet mjaftueshëm për të stërvitur të ardhurit e rinj, thotë komandanti i batalionit. “Nuk u jepet as përgatitja e standartit më të ulët që nevojitet për operacionet tona të luftimit”, tha ai.

Rekrutët e rinj nuk kanë bërë praktikë të mjaftueshme për t’i montuar armët dhe për të shtënë me to, tha ai. Ata gjithashtu nuk kanë mësuar se si të koordinojnë detyrat luftarake në grupe të vogla, apo edhe të përdorin taktika të thjeshta, shtoi ai.

“Nga pika e komandës, do të doja t’u jepja urdhër grupeve të vogla (të këmbësorisë), por nuk jam i sigurt nëse ata janë në gjendje t’i ekzekutojnë ato sepse nuk kanë koordinim”, tha ai, duke shtuar: “Ndonjëherë, më vjen të qëlloj veten”.

Sulmi i papritur i Ukrainës në Rusi fillimisht ngjalli shpresat se Kremlini mund të detyrohet të ndajë burimet e tij ushtarake për t’iu përgjigjur. Por deri më tani, forcat ruse nuk janë tërhequr nga ofensiva e tyre drejt Pokrovskut dhe sulmeve të tjera të mundshme në Ukrainë.

Ndërkaq, avancimi i rrufeshëm i Ukrainës në territorin rus është ngadalësuar pas dy javësh, duke bërë vetëm përparime të vogla, një shenjë e mundshme kjo që Moska po kundërsulmon në mënyrë më efektive.

Komandantët në lindje raportojnë se betejat vetëm janë intensifikuar që nga sulmi ukrainas brenda territorit rus. Autoritetet lokale urdhëruan të hënën afro 53,000 banorët e Pokrovsk-ut të evakuohen brenda dy javësh. Në qytetin fqinj të Myrnohrad-it, i cili është edhe më afër pozicioneve ruse, banorëve iu dhanë vetëm pak ditë kohë për tu larguar.

Kapja e Pokrovskut do të minonte rrugët e furnizimit të Ukrainës në rajonin e Donetskut dhe do të lehtësonte përparimin e Rusisë në qytetet lindore të Slovianskut dhe Kostiantynivkas. Kjo do të shënonte gjithashtu fitoren e parë të madhe strategjike të Rusisë pas disa muajsh duke arritur vetëm fitore të vogla.

Në tre muajt e fundit, shumica e humbjeve territoriale të Ukrainës u regjistruan në zonën e Pokrovskut, sipas tre organizatave që vëzhgojnë situatën, me luftime që u intensifikuan në afërsi të qyteteve Toretsk dhe Chasiv Yar. Forcat ruse i përshpejtuan sulmet në një përpjekje për të përfituar nga lodhja dhe mungesa e trupave ukrainase.

Ofensiva ka sjellë gjithashtu një kosto të madhe për Moskën, me rreth 70,000 trupa të humbura në dy muaj, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, në një publikim në rrjetin social X. Humbjet e rënda kanë vazhduar ndërsa forcat ruse i afrohen gradualisht Pokrovskut nga pjesa lindore dhe ajo juglindore.

Një sfidë tjetër për Ukrainën është një taktikë e re në të cilën Rusia dërgon njësi më të vogla të këmbësorisë prej dy deri në katër ushtarë. Kjo ka tronditur operatorët ukrainas të dronëve, të cilët e kanë të vështirë t’i vënë në shënjestër ata, sipas një operatori droni në Brigadën e 25-të që përdor nofkën Groot.

“Kjo është një nga arsyet kryesore për suksesin (e Rusisë) në Pokrovsk,” tha ai. “Njësitë e vogla është më e vështirë t’i zbulosh”, veçanërisht kur lëvizin nën pemët me gjethe.

“Sapo këmbësoria futet nën pemë, është me të vërtetë e vështirë t’i nxjerrësh nga atje me dronë dhe kjo është arsyeja pse ne varemi shumë nga këmbësoria jonë.”/ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →