1,589,659 banorë është numri i popullsisë në Kosovë, sipas procesit të regjistrimit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Nga ta 795,046 janë meshkuj dhe 791,614 janë femra.
Këto shifra përfshijnë vetëm banorët vendorë dhe jo diasporën. Nga gjithsej 38 komuna të Kosovës, 9 prej tyre kishin rritje të popullsisë, 29 të tjera kishin zvogëlim të numrit të popullsisë, shkruajnë mediet e Kosovës.
Por, nëpër komunat e Kosovës, është evidentuar një përqindje e lartë e banesave dhe shtëpive të pabanuara.
Interesant është se pavarësisht që kryeqyteti është gjithmonë i kërkuar për banim, në bazë të statistikave del që 30.7 për qind e banesave dhe shtëpive janë të pabanuara. Përqindja më e lartë është në Komunën e Dragashit, ku gati gjysma e shtëpive dhe banesave janë të pabanuara (43.4%).
Pas Dragashit vjen Istogu si komuna me më së shumti banesa e shtëpi të pabanuara (41.2 %). Befasi është edhe Suhareka e cila pavarësisht se njihet si një vend mjaft i industrializuar, të pabanuara i ka 40.7 për qind të banesave dhe shtëpive.
Edhe Komuna e Klinës ka një numër të madh të shtëpive dhe banesave të pabanuara (40.4%).
Vitia përmbyll top-pesëshen e komunave që kanë më së shumti njësi banesore të pabanuara me 39.2%.
ASK-ja thotë se përveç migrimit jashtë Kosovës, është vërejtur edhe migrim brenda vendit, që ka shkaktuar largim të banorëve nga zonat kufitare të Kosovës drejt qyteteve më në qendër.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co