Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiye-s njoftou se ka rifilluar patrullimet e përbashkëta tokësore me Rusinë në Siri, të cilat u ndërprenë tetorin e kaluar për arsye sigurie, transmeton Anadolu.
“Deri më 5 tetor 2023, ishin kryer 344 aktivitete të përbashkëta të patrullimit tokësor. Megjithatë, aktivitetet e patrullimit u ndërprenë për shkak të situatës së sigurisë në rajon”, thuhet në deklaratë, ku shtohet:
“Aktiviteti i përbashkët i patrullimit tokësor i kryer nga Türkiye dhe Federata Ruse ka rifilluar më 22 gusht 2024, me 4 automjete (2 Pars, 2 Kirpi-2) dhe 24 personel që marrin pjesë në pjesën lindore të zonës së Operacionit ‘Burimi i Paqes’”.
Patrulla e përbashkët tokësore, sipas deklaratës, kryhet në zonën operative të Operacionit “Burimi i Paqes” në perëndim dhe në lindje në përputhje me Marrëveshjen e Soçit të nënshkruar midis Ankarasë dhe Moskës më 22 tetor 2019.
Aktiviteti i parë i tillë i përbashkët i patrullimit tokësor u krye më 1 nëntor 2019.
“Qëllimi i vazhdimit të aktiviteteve të përbashkëta të patrullimit tokësor është garantimi i sigurisë së kufijve të vendit tonë dhe popullatës civile në rajon, vendosja e stabilitetit në veri të Sirisë, identifikimi i pikave të kontrollit, selive dhe strukturave ushtarake që i përkasin organizatës terroriste PKK/YPG-SDF që duhet të largohet nga rajoni sipas marrëveshjeve që Türkiye ka bërë me SHBA-në dhe Federatën Ruse, si dhe të shfaqë bashkëpunimin turko-rus në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në deklaratë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co