Pas rihapjes së dosjes së 21 janarit, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) është paraqitur këtë të martë (23 korrik) ish komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.
Ish-Komandanti i Gardës, ka dalë nga ambientet e SPAK pasi ka dëshmuar për rreth 3 orë e 20 minuta, ndërsa deklaroi se do të paraqitet sa herë ta thërrasin.
Pyetje: Për çfarë ishit thirrur? Do vini sërish në SPAK?
Ndrea Prendi: Sa herë të na thërrasin!
Pyetje: Për çështjen e 21 Janarit?
Ndrea Prendi: Për çdo gjë!
Kujtojmë që Rajmonda Nika, gruaja e Aleks Nikës, një nga 4 protestuesit e vrarë në protestën e 21 janarit, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ajo ishte e shoqëruar nga xhaxhai i të ndjerit, Mark Nika, ku të dy kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me dosjen e 21 janarit.
Rajmonda Nika ishte ajo që fitoi betejën në Strasburg ku Gjykata Ndërkombëtare e konsideroi si vrasje shtetërore dhe u shpreh për mungesën e hetimeve në Shqipëri përgjatë këtyre viteve.
Ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme të regjistronte procedimin, pas vendimit së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prokuroria e Posaçme regjistroi më 16 Korrik procedimin penal për dosjen e 21 janarit, për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Me anë të një njoftimi, SPAK thotë se ka regjistruar procedimin penal për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
SPAK thote se ka vendosur “Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co