Rikthehet Covid-19, dy viktima dhe rritje të numrit të rasteve në Kosovë

rikthehet covid 19 dy viktima dhe rritje te numrit te rasteve ne kosove





































Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se dy njerëz kanë vdekur nga COVID-19 javën e kaluar, gjatë të cilës janë rritur dukshëm rastet e personave të infektuar me këtë virus.

COVID-Kosove

“Bazuar në analizën e situatës epidemiologjike në vend, IKSHPK konstaton një rritje të rasteve të COVID-19 në mostrat e testuara ditëve të fundit, me dominim të simptomave respiratore në mesin e të prekurve”, tha IKSHPK-ja në Facebook.

Gjatë periudhës 14 -19 gusht 2024, janë raportuar 400 testime të kryera për SARS COV-2, prej të cilave 177 raste kanë rezultuar pozitivë, tha IKSHPK-ja.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, tha për Radion Evropa e Lirë se dy të moshuar kanë humbur jetën pasi janë prekur nga COVID-19.

Që të dy viktimat, 80 dhe 67 vjeç, ishin pacientë që vuanin edhe nga sëmundje të tjera të rënda kronike, tha ai.

“Në Klinikën Infektive jemi duke i trajtuar gjithsej 11 pacientë, prej tyre dy janë me oksigjeno-terapi. Këto dy javët e fundit është vërejtur një rritje e fluksit të pacientëve dhe njëkohësisht është rritur kërkesa për hospitalizim në Klinikën Infektive”, tha Vishaj.

Ndërkohë, IKSHPK ka rekomanduar njerëzit me sëmundje të rënda kronike të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19.

“Vaksinimi vazhdon të jetë masë efektive mbrojtëse, veçanërisht ndaj formave më të rënda të sëmundjes dhe, për shkak të zbehjes së imunitetit me kalimin e kohës, individët në rrezik më të lartë dhe sëmundje kronike, rekomandohet të vaksinohen”, thuhet në njoftim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore më 5 maj 2023.

Megjithatë, raste me koronavirus, që për herë të parë u shfaq në Vuhan të Kinës në fundin e vitit 2019, së fundi janë regjistruar në vende të ndryshme të botës dhe në kontinentin evropian.

Në janar të këtij viti, revista shkencore Lancet publikoi një studim rreth pandemisë së koronavirusit. Sipas gjetjeve të studimit pandemia ndikoi në jetëgjatësinë e njerëzve, pasi gjatë periudhës së pandemisë jetëgjatësia ra për 1.6 vjet.

Hulumtuesit e Lancet po ashtu vlerësuan se COVID-i ka shkaktuar 15.9 milionë vdekje gjatë viteve 2020-2021. Vdekjet u shkaktuan qoftë nga virusi apo nga pengesat e shkaktuara në sistemin shëndetësor si pasojë e pandemisë./rel

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →