Në maj të vitit të shkuar, deputetja e mazhorancës, Blerina Gjylameti, depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj të ri “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.
Prej atëherë, dokumenti “fle” në zyrat e Kuvendit duke penalizuar prej gati një viti shitblerjen në tregun e pasurive të paluajtshme. Në pritje të procesit të rivlerësimit, i cili aktualizon banesat e ndërtuara herët me çmimet reale, shumë pronarë kanë vendosur të mos shesin pronat deri në miratimin e ligjit, me qëllim që të paguajnë pak ose aspak tatim në aktin e shitjes. Vetëm dje, Kryeministri Edi Rama hodhi dritë mbi atë se çfarë po ndodh me këtë projektligj, duke dhënë një afat zyrtar se kur pritet të nisë procesi i rivlerësimit. Kurdo të bëhet, ky rivlerësim do të jetë i pesti proces në 13 vite, kurse i fundit u mbyll në vitin 2022.
KRYEMINISTRI
Rivlerësimi i pronave do të bëhet në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit të djeshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku tregoi edhe arsyen se përse është vendosur kjo periudhë. “Rivlerësimi i pronave do të bëhet në gjashtëmujorin e dytë dhe ka disa arsye pse. Është një punë shumë e madhe, po përgatiten harta sepse po bëhet i gjithë bilanci i shitblerjeve etj., që të bëjmë një vlerësim sa më domethënës dhe sa më të favorshëm për ata që po presin”, – deklaroi kreu i qeverisë.
Brenda vitit 2025 synohet mbyllja e gjithë procesit të rivlerësimit dhe më pas pritet që duke filluar nga 1 janari i 2026, të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësi që t’i kenë pronat e rivlerësuara me çmimet aktuale të tregut. Projektligji i rivlerësimit të pronave në momentin e propozimit parashikonte që individët dhe subjektet do të kenë të drejtë të rivlerësojnë pronat e tyre me çmimin e tregut, duke paguar një tarifë rivlerësimi në masën 3% të diferencës mes çmimit të rivlerësuar dhe çmimit të fundit të regjistruar në kartelën e pasurisë. Por, në deklaratat e mëtejme flitej për një përqindje më të lartë, 5%. Pra, ajo që u prezantua si një shans i madh për qytetarët zbehu vëmendjen e shqiptarëve, një prej vendeve më të varfra në Evropë e rajon. Pavarësisht këtij fakti, është ndër të paktat ku shteti mban tatim mbi të ardhurat e përfituara nga shitja e shtëpisë së parë.
PËRFITUESIT
Mundësinë e përfitimit nga ky proces i rivlerësimit të pronave do ta kenë edhe individët që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë, si dhe individët që disponojnë kontratë sipërmarrjeje, ose porosie dhe që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë. Çdo pronë e blerë apo e legalizuar vitet e fundit ka një vlerë të regjistruar në Kadastër, e cila është më e ulët se vlera aktuale e të njëjtës pronës në tregun e lirë. Ky ndryshim ndodh për shkak të rritjes së çmimeve të pronave gjatë viteve të fundit. Kur një pronë shitet, pronari është i detyruar të paguajë një taksë mbi diferencën mes vlerës së regjistruar dhe çmimit të shitjes, e cila quhet Taksa e Shitjes së Pronës.
Me rivlerësimin e pronës, vlera e regjistruar e pronës rritet dhe si rezultat, diferenca që tatohet bëhet zero, kjo bën që taksa e shitjes pronës të jetë zero kur prona të shitet. Duke vepruar në momentin që qeveria hap procesin e rivlerësimit të pronave, pronarët mund të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të sigurojnë kursime të konsiderueshme në taksat që do të paguajnë kur të vendosin të shesin pronën e tyre. Me një vlerë të pronës së përditësuar dhe një normë të ulët takse, pronarët jo vetëm që përfitojnë nga një barrë më e vogël tatimore, por gjithashtu përmirësojnë pozicionin e tyre në treg kur vendosin të shesin pronën. Gjatë kësaj kohe, përfaqësues të sektorit të pasurive të paluajtshme kanë kërkuar përshpejtimin e nismës për faktin se periudha deri në miratimin e nismës po sjell një frenim të tregut të shitblerjeve në pritje të miratimit të nismës.
/Gazeta Panorama
–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot botasot.co