Roli i medias në mbrojtjen e demokracisë

roli i medias ne mbrojtjen e demokracise








































bajram begajBAJRAM BEGAJ

Në këtë fundvit të 2024-ës kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të jem me ju, kërkuesit dhe mbrojtësit të lajmit të vërtetë, kujdestarë të informacionit tonë të përbashkët dhe kontributorë thelbësorë në fuqizimin e vlerave të demokracisë. Me përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj, çdo fjalë që përcillni, çdo ngjarje që raportoni, çdo histori që i jepni jetë, ndikon në ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë dhe në formësimin e debatit publik. Ju jeni urë e rëndësishme lidhëse mes ngjarjeve dhe shoqërisë, duke bërë të njohur të vërtetën dhe duke sjellë informacione të rëndësishme në jetën tonë të përditshme. Puna juaj është më shumë se përgatitja dhe përcjellja e lajmit.

Ajo është një akt kurajoje në shërbim të publikut, shpesh i kryer në rrethana sfiduese, me burime të kufizuara. Ju mbani mbi supe përgjegjësinë e transmetimit te publiku të lajmit profesional në një kohë që ju duhet të menaxhoni e filtroni qindra realitete të transmetuara në dhjetëra forma, për të sjellë te ne informacionin e vërtetë. Roli i medias në mbrojtjen e demokracisë, në debatin dhe lirinë e mendimit, është i pazëvendësueshëm. Qytetarët e kërkojnë dhe duan informacionin.

Atyre u pëlqen të lexojnë, dëgjojnë, kuptojnë, sfidojnë, mbështesin e debatojnë. Sa më e respektuar dhe profesionale të jetë media shqiptare, aq më shumë do të jetë e informuar dhe e përfshirë shoqëria dhe shumë më e fortë do të jetë demokracia. Media është përballur me një sërë sfidash të rëndësishme, të evidentuara edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian. Integriteti dhe funksionimi i medias në vendin tonë janë tema të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. Në kohën e rrjeteve sociale dhe teknologjisë së komunikimit që zhvillohet me shpejtësi marramendëse, mbi supet tuaja bie edhe një pjesë e madhe e peshës së edukimit të publikut me cilësinë e lajmit dhe të të rinjve me pasionin për profesionin e informacionit cilësor. Zëri juaj, pena juaj, imazhi që ju transmetoni, sjellin sa qartësi, aq edhe orientim. Ju ndikoni në mënyrën se si shoqëria jonë e shikon veten dhe reflekton. Në këtë aspekt, kemi nevojë të bashkëpunojmë për të luftuar stereotipat, stigmatizimin dhe llojet e ndryshme të diskriminimit në shërbim të kohezionit social, kulturor e atij ndërmjet brezave.

Mediat sociale e kanë diversifikuar informacionin, i kanë dhënë zë gjithsecilit, kanë hapur mundësi të mëdha, por gjithashtu, edhe sfida të reja. Ky diversifikim i lajmit ka ardhur me një kosto të lartë për cilësinë e tij për shkak të keqinformimit dhe të “fake news”-ve, ndaj roli juaj si profesionistë të informimit është më i rëndësishëm se kurrë. Ju jeni ata që hidhni dritë mbi të vërtetën, duke verifikuar informacionin në një oqean përmbajtjeje të pafiltruar. Këtij oqeani të trazuar lajmesh e komentesh i është shtuar tashmë dhe Inteligjenca Artificiale, e cila ashtu si mediat sociale, ka një potencial të pakufishëm, aq sa paraqet edhe rreziqe.

Inteligjenca Artificiale mund ta përforcojë punën tuaj duke hapur horizonte të reja për transmetimin e informacionit dhe për analizimin e të dhënave, por teknologjia duhet t’i shërbejë shoqërisë, jo e kundërta. Ju nxis ta përdorni atë me kujdes, etikë, humanizëm, profesionalizëm dhe gjithmonë në shërbim të së vërtetës. Përballja me këto sfida kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, organizatave të medias dhe shoqërisë civile për të mbrojtur lirinë e shtypit, për të siguruar informim të saktë dhe për të mbështetur zhvillimin e një mjedisi mediatik të qëndrueshëm, të besueshëm dhe të paanshëm. Jetojmë në një botë të polarizuar me botëkuptime të ndryshme mes brezash, grupeve sociale e kulturore. Komunikimi në ambiente të ndryshme, veçanërisht në shkolla, është ashpërsuar.

Ju ftoj të bashkojmë forcat në të përditshmen e në nisma inovative për të dhënë shembujt pozitivë dhe praktikat e komunikimit paqësor e cilësor. Në intensitetin e imazheve dhe zërave në shumë rrjete, le të nxisim e paraqesim zërin dhe imazhin e qytetarisë, vetëpërmbajtjes, dijes dhe mirëkuptimit, të gjitha këto të domosdoshme për një shoqëri të zhvilluar dhe një të ardhme të mirëqenë e të begatë në vendin tonë. Kjo është veçanërisht e nevojshme në kohë si tonat, shumë sfiduese. Konfliktet e luftërat vijojnë në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Në këto kohë tensionesh, lajmi i vërtetë gjendet vetëm te mediat profesioniste, të cilat padyshim janë të sfiduara si nga lajmet e rreme e “deep fake”, ashtu dhe nga vështirësitë financiare.

Gjithsesi, zëri i profesionistëve të medias së guximshme nuk ka munguar dhe media profesionale mbetet një busull që na udhëheq në vlerësimin e drejtë të kompleksitetit të realiteteve. Ju siguroj se Presidenti ka vëmendjen e vullnetin për t’ju dëgjuar e mbështetur. Përpjekja dhe integriteti juaj janë të shenjta. Ju jeni profesionistë të nderuar dhe frymëzim për të rinjtë e të rejat që do të ndjekin rrugën tuaj, për t’ju përkushtuar të vërtetës dhe një profesioni sfidues në shërbim të së drejtës themelore për informim. Profesioni juaj përbën një mision jetik për shoqërinë. Ai është garanci për një shoqëri më të drejtë. Padyshim, jo çdo gjë varet nga ju, por ju keni pushtetin e katërt, ndoshta atë më të fuqishmin në botën e sotme. Unë uroj ta përdorni këtë pushtet me përgjegjësi.

Jam dhe do të mbetem bashkëpunëtori e mbështetësi juaj për një shoqëri të mirinformuar, për qeverisje transparente dhe për dialog politik e social, kuptimplotë e paqësor. Ju uroj që këtë vit të ri të mund ta ushtroni profesionin tuaj të bukur si gazetarë në pavarësi e liri të plotë, të kërkoni të vërtetën, të mund ta transmetoni atë te publiku pa u shqetësuar e pa u vënë në rrezik. Informacioni juaj i drejtë, në kohë dhe i paanshëm i jep frymë debatit dhe ushqen demokracinë tonë. Në këtë moment reflektimi, në një vit të mbushur me ngjarje të rëndësishme për vendin, kombin dhe qytetarët, dëshiroj t’ju falënderoj për punën tuaj të palodhur dhe të guximshme.

Gëzuar Vitin e Ri!

Ju sjelltë 2025-a risi të këndshme, audiencë e lexueshmëri të lartë dhe shumë suksese!

Le të jetë viti i ri 2025, një vit i mbushur me gëzim, suksese dhe frymëzim për të vazhduar misionin tuaj të rëndësishëm./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →