Qeveria ka miratuar vendimin që i hap rrugën rritjes së pagave për punonjësit e bashkive në të gjithë vendin, duke nisur nga kryebashkiakët.
Ky vendim parashikon hyrjen në fuqi të pagave të reja në të gjitha bashkitë e vendit për kryebashkiakët, nënkryetarët, drejtorët dhe pjesën tjetër të administratës të njësive të qeverisjes vendore. I gjithë fondi për përballimin e pagave do të mbulohet nga buxhetit i shtetit, ndërsa pritet që kjo të shoqërohet edhe me një ristrukturim të bashkive dhe stafeve të tyre. Sipas ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prej 1 shtatorit, paga minimale nga 32 mijë lekë do të shkojë në 70 mijë lekë. Referuar vendimit, për Bashkinë Tiranë, kufiri minimal i pagës së kryetarit është 268 mijë lekë/ muaj dhe ai maksimal 318 mijë lekë në muaj. Për nënkryetarët e kësaj bashkie, kufiri maksimal arrin në 270 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me mbi 200 mijë banorë, paga për kryetarin varion nga 255 mijë lekë deri në 290 mijë lekë në muaj, ndërsa për nënkryetarin arrin deri në 255 mijë lekë në muaj. Për bashkitë me një numër popullsie nga 50 mijë deri në 200 mijë banorë, paga për kryetarin arrin deri në 260 mijë lekë në muaj dhe nënkryetarin 205 mijë lekë në muaj. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me numër popullsie deri në 50 mijë banorë, paga maksimale prek nivelin e 240 mijë lekë në muaj për kryetarin dhe 185 mijë lekë për nënkryetarin. Ndërsa sa i takon këshillit të qarkut, paga për kryetarin arrin në 260 mijë lekë në muaj dhe për nënkryetarin 205 mijë lekë/ muaj. Rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe pagat e drejtorëve në pushtetin vendor të cilat janë barazuar me një drejtor në ministri. Gjithashtu, ka një përafrim në nivelin e pagave për nëpunësit civilë në të gjitha bashkitë në vend, duke reduktuar hendekun që ekzistonte më parë për shkak të numrit të popullsisë që kanë bashkitë, apo kategorive që ndaheshin bashkitë. Kështu pagat e specialistëve në të gjitha bashkitë fillojnë nga 40-80 mijë lekë/ muaj.
Në bashkitë e mëdha, për nivelin përgjegjës sektori arrijnë deri në 105 mijë lekë në muaj, për nivelin drejtor drejtorie arrijnë në 141 mijë lekë/muaj, drejtorët e përgjithshëm marrin deri në 170 mijë lekë në muaj dhe sekretari i përgjithshëm 205 mijë lekë në muaj. Fatura vjetore e rritjes së pagave në pushtetin vendor është 3 miliardë lekë dhe do mbulohet nga buxheti i shtetit. Diferenca mbi këtë nivel, do të mbulohet nga buxhetet e vetë bashkive. Bashkia Tiranë, më e madhja në vend e bëri fakt të kryer në mbledhjen e fundit duke miratuar nivelin e ri të pagave. Ato variojnë nga 70 mijë lekë, që është paga më e ulët e një funksionari në bashki deri në 318 mijë, paga maksimale me të cilën trajtohet i pari i bashkisë. Rritja mesatare për 1659 punonjës në total është afro 25 për qind më shumë. Trajtimi me këtë pagë ka nisur tashmë me hyrjen e muajit shtator, ndërkohë që frytet e para dhe pagën konkrete gjithësecili mund ta shohë në fillim të tetorit kur ata të marrin pagën e re.
VENDIMI
Ashtu siç u premtua nga ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, një rritje e konsiderueshme pagash deri në 40 për qind për të gjithë punonjësit vendorë ka nisur të zbatohet nga pushteti vendor. I pari ishte Këshilli Bashkiak i Tiranës ai që vendosi të miratojë propozimin e bashkisë për këtë rritje domethënëse të pagave për të gjithë funksionarët, nëpunësit civilë e administrativë. “Në kuadër të ndryshimeve në legjislacionin e pagave, konkretisht ndryshimit të vendimit nr. 328, datë 31.05.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse pranë Bashkisë së Tiranës ka pasqyruar ndryshimet në nivelin e pagave për të gjitha kategoritë e funksionarëve, nëpunësve civil dhe punonjësve administrativ të Bashkisë Tiranë”, thuhet në relacionin për miratimin e pagave të reja të punonjësve të bashkisë së Tiranës. Ndryshimet konsistojnë jo vetëm në ndryshimin e nivelit të pagave, por edhe në trajtime të tjera. Në përgjithësi, të gjithë specialistët marrin 10 mijë lekë shtesë për pozicion, paga e të cilëve unifikohet në këtë mënyrë me specialistët e tjerë në administratën qendrore. Po ashtu, paga e zëvendëskryetarëve shkon në 270 mijë lekë, nga 255 mijë aktualisht dhe për të gjithë nëpunësit civilë do ketë ndryshim të kategorizimit. Propozimet e paraqitura për rritjen e pagave, shkojnë mesatarisht në masën rreth 24.6 %, nga e cila përfitojnë 1659 punonjës.
Aplikimi i pagave të reja do të fillojë nga data 1 Shtator 2024 dhe efektet financiare të rritjes së pagave bashkë me sigurimet shoqërore do të përballohen nga të ardhurat e Aparatit të Bashkisë Tiranë për vitin 2024. Këshilli Bashkiak ka kompetencën për caktimin e pagave, përfshirë të gjithë elementet përbërës si: paga bazë, paga për pozicion, shtesa për vjetërsi, shtesa për vështirësi, shtesën për kushte pune, e të tjera, kompetencë të cilën e ka ushtruar Kryetari i Bashkisë. Në praktikë, për pjesën e punonjësve mbështetës, pra të sistemit me klasa, për të qenë në koherencë me vendimet e qeverisë, e për të garantuar barazi në paga si në pushtetin qendror me atë vendor, duke qenë se nuk pati ndryshim të pagës minimale të gjithë punonjësit mbështetës të administratës shtetërore përfituan shtesën “për kushte pune”. Në këtë kuadër, nënvizohet në relacionin e projektvendimit, është parë e domosdoshme që ta përfitojnë këtë shtesë dhe punonjësit administrativ të Aparatit të Bashkisë Tiranë përfshirë punonjës shërbimi, magazinier, shofer pastrues e të tjerë.
SHTESA PER VJETERSI
Gjithashtu, në vijim të procesit për reformën e pagave të nëpunësve/punonjësve të administratës publike dhe rritjen e niveleve të tyre, të parashikuar për vitet 2023 – 2024, bazuar në iniciativën e qeverisë shqiptare për këtë qëllim, për kufijtë e pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, si dhe të nëpunësve civilë të njësive të vetëqeverisjes vendore për vitin 2024, shtesa për vjetërsi në punë nga 2% për çdo vit deri në 25 vjet, që aktualisht llogaritet mbi pagën e grupit, do të jepet deri në 30 vjet dhe llogaritet mbi shtesën e pozicionit, në masën si vijon: 0.6% pas çdo viti pune për 10 vitet e para (1-10 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; 0.8% pas çdo viti pune për 10 vitet e dyta (11-20 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; 1% pas çdo viti pune për 10 vitet e treta (21-30 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit./Gazeta Panorama