Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës do të shqyrtojë sot raportin të prezantuar nga Dora Bakoyannis, raportuese për Kosovën në Këshill.
Deputetë të Kuvendit që janë pjesë e delegacionit të Asamblesë Parlamentar, javën e kaluar paralajmëruan se më 27 mars do të takohet Komisioni për Politikë dhe Demokraci, i cili pritet ta shqyrtojë raportin e Dora Bakoyannis. Për kalimin e tij duhet të votojnë një e dyta e anëtarëve, që i bie 27 deputetë.
Nëse kalohet kjo fazë, atëherë çështja mund t’i kalojë për votim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila i zhvillon punimet nga 15 deri më 19 prill.
Shpresat e Kosovës për shpejtimin e procesit të anëtarësimit u shtuan pasi Qeveria e urdhëroi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ky përbënte njërin prej kushteve themelore të Këshillit të Evropës, që përmendet edhe në një raport të juristëve të KiE-së.
Zyrtarë të Qeverisë në disa raste kanë thënë se tashmë janë siguruar votat e domosdoshme për anëtarësim, me gjithë fushatën lobuese të Serbisë. Madje kjo e fundit kërcënoi me largim nga Këshilli i Evropës, nëse e pranon Kosovën si anëtaren më të re.
Në prag të vendimmarrjes edhe nga Mali i Zi ka paralajmërime për votë kundër. Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet i ka kërkuar Maja Vukiçeviçit, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë. PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) prorus e proserb, që përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiç.
Para votimit në Këshill, tre udhëheqësit institucionalë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i dërguan një letër raportueses Bakoyannis, ku shprehën zotimin për zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, të cilat e përfshijnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co