Numri i të vdekurve nga tajfuni “Yagi” në Vietnamin verior u rrit në 127, ndërsa shirat e dendur kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje, njoftoi media lokale, transmeton Anadolu.
Gjithsej 127 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 54 të tjerë janë të zhdukur për shkak të stuhisë tropikale më të fuqishme të vitit, raportoi Vietnam News, duke cituar Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Rreth 764 persona janë lënduar gjithashtu për shkak të tajfunit dhe përmbytjeve.
Tajfuni goditi provincat veriore Cao Bang, Lao Cai, Quang Ninh, Hai Phong dhe Phu Tho.
Rajoni malor Cao Bang raportoi numrin më të madh të viktimave dhe të zhdukurve, gjithsej 19 të vdekur dhe 36 ende të palokalizuar.
Në mesin e viktimave, të paktën 12 njerëz kanë vdekur për shkak të stuhisë, 72 nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet, gjashtë nga përmbytjet dhe tetë nga shembja e urës Phong Chau në Phu Thọ të hënën.
Stuhia ka bërë gjithashtu që 85 varka të fundosen në Quang Ninh, duke dëmtuar mijëra hektarë oriz, të korra dhe pemë frutore.
Përmbytja ka shkaktuar gjithashtu ngordhjen e 1.174 krerëve të bagëtisë.
Më shumë se 50,000 njerëz nga qytetet bregdetare janë evakuuar për shkak të tajfunit.
Tajfuni “Yagi”, i cili goditi rajonet veriore të Filipineve më 3 shtator, shkaktoi shira të forta, përmbytje dhe rrëshqitje të dheut, duke rezultuar në 20 të vdekur dhe 26 të zhdukur.
Tajfuni, i cili goditi provincën Hainan të Kinës më 7 shtator, çoi në vdekjen e katër personave dhe lëndimin e 95 të tjerëve.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co