Rritja e kostove dhe rënia e euros çon industrinë përpunuese në pikiatë

rritja e kostove dhe renia e euros con industrine perpunuese ne pikiate
rritja e kostove dhe renia e euros con industrine perpunuese ne pikiate

Dy sektorët kryesorë prodhues të vendit, industria dhe bujqësia, kontribuuesit më të mëdhenj në punësim, shënuan rënie të fortë vitin e kaluar, duke sinjalizuar një tranzicion me pasoja drejt shërbimeve. Të dhënat mbi rritjen ekonomike të vitit 2023 treguan se industria përpunuese shënoi rënie vjetore me 6.1%, më e forta e dekadës që nga viti 2012.

Industria përpunuese është kryesisht e përqendruar në prodhimin për eksport dhe përfaqësohet nga industria automotive, ajo e veshjeve dhe këpucëve dhe industria ushqimore. Sektori i industrisë, që po lulëzonte deri në mes të vitit 2022, përmbysi arritjet e një dekade nga zhvlerësimi i euros dhe rënia e kërkesës nga jashtë pas luftës në Ukrainë.

Fabrikat e mëdha janë në mbijetesë, teksa njësitë e vogla të përpunimit deri në 130 punonjës po mbyllen në seri në këtë fillim viti. Fabrikat pohojnë se faktori kryesor lidhet me rënien e fitimeve, e krijuar nga kursi i këmbimit. Euro u këmbye mesatarisht me 108.7 lekë në 2023, duke zbritur në verë afër 100 lekëve, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022. Eksportuesit pohuan se kostot e rënies së euros kanë gërryer fitimet e biznesit, pasi ato nuk mund të transferohen në çmime. Në të njëjtën periudhë, paga minimale arriti në 40 mijë lekë në tremujorin e parë 2023, nga 34 mijë lekë që ishte në vitin 2022.

Në anën tjetër porositë nga jashtë për veshje dhe këpucë ranë mE shpejtësi në vitin 2023 pas një kërkese të fortë pas pandemisë në vitin 2021. Lufta në Ukrainë dhe inflacioni i lartë që krijoi ndikuan në rënien e konsumit në artikuj të tjerë jo të domosdoshëm. Fabrikat pohojnë se kjo krizë, më e forta e 15 viteve, i ka vënë bizneset para zgjidhjeve të vështira. Njësitë e vogla po mbyllen dhe po shkojnë drejt sektorëve të tjerë si turizmi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe industria ushqimore, ndërsa fabrikat e mëdha po përshtaten, duke kaluar në segmente më të lartë të prodhimit dhe duke shkurtuar kostot e brendshme, nëpërmjet rritjes së produktivitetit.

Më të cenuarit duket se janë punonjësit, të cilët kanë kaluar në mbi 20 vite duke qepur këpucë dhe e kanë të vështirë të përshtaten në sektorë të tjerë. Të dhënat të INSTAT tregojnë se në fabrikat e prodhimit të këpucës ishin të punësuar rreth 20 mijë persona në vitin 2022, por të dhënat nga industria tregojnë se një pjesë e madhe, më shumë se 40% e tyre kanë humbur punën muajt e fundit./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →