Në emisionin “Open” në Neës24 është diskutuar mbi rritjen e pagave në administratën publike, që nis prej muajit qershor. Kryeministri Edi Rama, në daljet publike, ka deklaruar se paga mesatare e administratës do të arrijë në 900 euro. Shtesa që punonjësit e administratës do të përfitojnë në muajin korrik llogaritet nga 7 deri në 30%. Mjekët dhe mësuesit pritet të jenë dy kategoritë që do të përfitojnë më shumë nga rritja e pagave. Kostoja e plotë e reformës së pagave arrin në rreth 39 miliardë lekë.
Gazetari i ekonomisë Bardhi Sejdarasi tha se Qeveria po përgatit vendimin që plotëson aktin normativ për rritjen e pagave. Sejdarasi tha se ministri i Financave ka deklaruar se në Kuvend do të paraqitej struktura e plotë e pagave në administratë, por tani jemi në qershor dhe kjo strukturë nuk është paraqitur.
Sejdarasi tha se një problem ishin pagat e pushtetit vendor, që ishin të ndara në shumë kategori. Sipas tij, tashmë një punonjës i Bashkisë Klos, le të themi, do të marrë të njëjtën pagë si një punonjës bashkie në Tiranë.
Dorian Teliti, ekspert për çështjet ekonomike pranë PD, tha se ky është një hap i vonuar i Qeverisë përsa i takon rritjes së pagave. “Më së fundmi qeveria ka marrë inisiativën për rritjen e pagave, por nuk është e mjaftueshme dhe e vonuar. Ky hap duhej të ndërmerrej përpara se të kishim një hemoragji, pra largim të shqiptarëve. E vlerësojmë faktin se po rriten pagat, por efektet sot janë më të pakta se ato që do të kishim nëse do të rriteshin pagat kohë më parë”, tha Teliti.
Ai u shpreh se fillimisht Qeveria rriti pagat e politikës, ndërsa në rastin e administratës nuk kemi parë ende vendimin për rritjen e pagave. “Rritën pagat e Presidentit, ministrave, politikanëve, ndërsa për administratën janë të vonuar”, tha Teliti. Sipas tij, në total këtë vit janë 110 mln euro për rritjen e pagave të 130 mijë punonjësve të administratës, ndërkohë janë 140 mln euro për ato kontratat koncensionare.
Por gazetari Sejdarasi në një replikë me Telitin tha se rritja e pagave të niveleve politike u bë me konsensus. “Kanë votuar pro 97 ose 95 deputetë, pra janë vota edhe nga opozita”, tha Sejdarasi.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co