TIRANË – Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, në një intervistë me Skype për News 24, u pyet se përse Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet votoi pro marrëveshjes për emigrantët. Idrizi tha se PS i kishte dhe e vetme votat për të miratuar marrëveshjen për emigrantët. Ai shtoi se PDIU votoi pro, pasi Italia është një vend shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, që ka qenë gjithmonë aleat në rrugën integruese të vendit tonë në BE. Idrizi u shpreh se rruga e BE për Shqipërinë nuk ka përse të kalojë modeomos nga Athina. Ai përmendi edhe rastin Beleri, duke theksuar se Fredi Beleri është një personazh me shumë emra, akuzuar edhe për masakrën e Peshkëpisë.
‘Marrëveshja për emigrantët ishte marrëveshje e rëndësishme për partnerët strategjikë që ka Shqipëria. Maxhoranca i kishte votat për të kaluar marrëveshjen edhe e vetme. Vendimi ynë ishte gjeo-strategjik, pasi Italia për ne është një vend, që na ka dhënë mbështetje historikisht. Kështu ne thamë që rruga për në BE për ne nuk kalon nga Athina, por kalon nga Roma, kalon nga Brukseli. PDIU ka qenë kundër çështjes së varrezave të ushtarëve grekë. Italia është partner strategjik për Shqipërinë. Nëse kthehemi tek Fredi Beleri, ai është një personazh që akuzohet se ka gisht në masakrën e Peshkëpisë. Ai është dënuar nga gjykata e Vlorës për djegie të simboleve kombëtare, është njeriu që del me flamurin e Vorio-Epirit, që është flamur irredentist. Kështu, që nuk ka përse rruga e BE për Shqipërinë të kalojë nga Greqia. Ndryshe nga Athina, Italia ka qenë gjithmonë një vend mik. PS kishte votat, as që e dinte sesi do të votonte PDIU. Partnerët më të rëndësishëm tanë janë SHBA, Italia dhe BE e nuk janë Athina apo çështja Beleri. Çështja Beleri nuk i bën nder as PD-së’, tha Idrizi.
Shpëtim Idrizi, pyetur për deklaratën e bërë nga deputeti Dashnor Sula se PDIU ka votuar për marrëveshjen për emigrantët sipas interesave ditore, tha se nuk komenton deklaratat e asnjë individi në politikë. Idrizi u shpreh se PDIU ka qenë një forcë politike konstruktive, që nuk ka ndërhyrë në ‘luftën civile’ të PD-së. Në lidhje me ligjin për amnistinë, Idrizi deklaroi se është i nevojshëm, për të liruar nga burgjet, njerëz që kanë kryer krime të vogla.
‘Sula mund të thotë atë që mendon. Unë nuk e kam në zakon që të përgëjoj këdo që komenton politikisht. Ka persona që nuk pranojnë mendimin ndryshe. PD ka qenë në ‘luftë civile’, ndërsa PDIU as që ka ndërhyrë në këto përplasje. Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë. Sa i përket amnistisë, duhet të jemi seriozë. Shqipëria, për numër popullsie, ka numrin më të lartë për njerëzit e dënuar, sepse ne kemi legjislacion të ashpër edhe për dënime të ulëta, për gabimet që bëjnë njerëzit në përditshmëri. Një njeri që është në paraburgim, i kushton shtetit, ka një faturë të shtrenjtë. Sot Shqipëria i ka plot kapacitetet me të burgosur. Amnistia është një nevojë. Dikush më tha se ishte një nënë që ndodhej në burg, që kishte 4 fëmijë që e prisnin jashtë dhe që ishte në gjendje të rënduar ekonomike. Për raste si kjo, amnistia patjetër që vlen’, deklaroi Idrizi.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co