Starton patrullimi i përbashkët i policisë rrugore mes Shqipërisë e Kosovës
Nisi sot patrullimi i përbashkët ndërmjet Policisë Rrugore të Shqipërisë dhe Policisë Rrugore të Kosovës.
Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato priti në Morinë, Drejtorin e Policisë Rrugore të Kosovës Jeton Rexhepi dhe patrullat e para të Policisë Rrugore të Kosovës që do patrullojnë me kolegët e Policisë Rrugore shqiptare, në Rrugën e Kombit, Lezhë, Shëngjin dhe Durrës.
Drejtorët theksuan rëndësinë e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Altin Qato: “Jemi këtu së bashku me kolegun zotin Rexhepi, drejtor i Policisë Rrugore të Kosovës, pasi ndërmjet 2 drejtorëve të përgjithshëm të policive është bërë 1 marrëveshje bashkëpunimi për patrullime të përbashkëta gjatë sezonit turistik. Sot është dita e parë që fillojmë patrullimet, kështu që jemi duke prezantuar shërbimet e përbashkëta, të cilat do të patrullojnë në akset rrugore të rrugës të Rrugës së Kombit, territorin e Lezhës dhe të Durrësit, ku është fluks i madh i qytetarëve kosovarë që frekuentojnë Shqipërinë, qoftë gjatë sezonit turistik që është një numër më i konsiderueshëm, por edhe gjatë gjithë vitit. Shërbimi do të konsistojë kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë, po dhe për menaxhimin e trafikut, pasi në këtë periudhë, siç e përmenda më parë, ka një fluks të jashtëzakonshëm të qytetarëve nga Kosova që frekuentojnë zonat turistike të Shëngjinit, Velipojës dhe Durrësit, prandaj dhe është menduar që këto akse rrugore do të patrullohen nga patrulla të përbashkëta. Përveç se do ndikojmë bashkarisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe menaxhimin e trafikut, kjo do shërbejë më së miri për të dyja shërbimet tona dhe për shkëmbimin e përvojave, për komunikimin dhe për një njohje më të plotë të metodave dhe praktikave të punës.”
Jeton Rexhepi: “Ne si Polici e Kosovës ndër vite kemi bashkëpunuar dhe kemi ofruar mbështetje, sidomos gjatë sezonit turistik, referuar numrit të qytetarëve, qoftë atyre që kalojnë pushimet në sezonin veror, mirëpo tani Shqipëria është bërë vizitë ditore e shumë qytetarëve të Kosovës dhe për këtë qëllim do të thotë që bashkarisht të ndikojmë përmes njësive tona patrulluese dhe përmes njësive të përbashkëta, në ofrimin e sigurisë rrugore dhe në rregullimin dhe lehtësimin e qarkullimit, sidomos në ato zona ku ka më tepër ngarkesë në trafik. Kryesisht akset që përmendi drejtori, akset nga Miloti në drejtim të Lezhës, Shëngjinit apo Shkodrës, si dhe pjesa që ka të bëjë me Durrësin. Prandaj dhe kësaj rradhe, Policia e Kosovës ka filluar me gjitha kapacitetet e nevojshme, qoftë burime njerëzore dhe logjistike. Kjo do të thotë që të jemi në këta 2 muaj në bashkëpunim dhe në patrullim të përbashkët për të ofruar siguri dhe për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundur.”
Altin Qato: “Periudha e sezonit turistik veror që përkon me këtë periudhë kryesisht korriku gushti, është një periudhë shumë e ngarkuar për Policinë Rrugore, pasi kemi një fluks të jashtëzakonshëm mjetesh. Sipas analizës që kemi bërë ne si polici rrugore janë rreth 1 200 000-1 300 000 mjete qarkullojnë në akset rrugore, kryesisht në akset që lidhin me zonat turistike, kështu që ka nevojë për një menaxhim më të mirë nga shërbimet e Policisë Rrugore së pari për rrugë të sigurta dhe së dyti për menaxhimin e trafikut aty ku kemi ne pengesa që për shkak të fluksit të madh të mjeteve, krijojnë rradhë të gjata në trafik, ka momente dhe bllokime. Prandaj si detyrë parësore ne kemi sigurinë, por një rol të veçantë merr dhe menaxhimi i trafikut për të shmangur bllokimet në akset rrugore. Për këtë ne kemi bërë një plan të detajuar. Kemi bërë një detajim të të gjithë shërbimeve dhe të gjithë pikave kryesore ku janë problematikat, qofshin këto njolla të zeza që janë për aksidente rrugore dhe njollat e kuqe ku kemi rendesë trafiku. Shërbimet e Kosovës bashkë me shërbimet tona do konsistojnë kryesisht në këto njolla, ku dhe prezenca e Policisë do jetë me e dukshme. Ne vazhdimisht e kemi përmendur që shërbimi i Policisë Rrugore prioritet ka sigurinë rrugore, anjëherë ndëshkimin, por kur të ketë shkelje të dukshme është më se i natyrshëm ndëshkimi, pasi prioritet është jeta e përdoruesve të rrugës. Pandaj i bëjmë thirrje çdo qytetari dhe çdo përdoruesi të rrugës, që gjatë sezonit turistik të jetë i vëmendshëm në respektimin e të gjitha normave të përdorimit të rrugës, pasi jeta është më e rëndësishme se gjithçka, dhe të jenë të vëmendshëm edhe për të shmangur ato akse rrugore dhe oraret ku ka trafik të rënduar.”
Jeton Rexhepi: “Shfrytëzoj rastin që të apeloj për të gjithë pjesëmarrësit e trafikut rrugor, qoftë vendor, qoftë dhe qytetarët e Kosovës që kalojnë rrugën në drejtim të bregut të Shqipërisë, që të kujdesen fillimisht do të thotë të respektojnë kufizimin e shpejtësisë, po ashtu të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës. Tani kur po flasim që do të ketë ngarkesa, kërkoj nga ata të jenë shumë tolerantë, sidomos në lokacione të segmentet rrugore ku mund të ketë kolona apo vargje automjetesh. Githashtu, kërkoj nga ata që të përdorin rripin e sigurisë gjatë lëvizjes dhe në të njëjtën kohë mos të përdorin telefonin mobil gjatë vozitjes. Duke respektuar rregullat fillimisht do të jenë më të sigurtë për veten, familjet e tyre dhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor. Ju dëshirojmë edhe kësaj vere të kalojnë sa më mirë që është e mundur në pushimet të cilat do t’i kaloni në Shqipëri. Faleminderit shumë!”
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co