Një gjykatë ruse e shpalli të premten gazetarin amerikan Evan Gershkovich fajtor për spiunazh dhe e dënoi atë me 16 vjet burg, tha agjencia shtetërore e lajmeve RIA.
Gazetari 32 vjeçar Gershkovich, gazeta The Wall Street Journal dhe qeveria amerikane kanë thënë se akuzat kundër tij janë të rreme. Ai u arrestua në mars të vitit të kaluar në qytetin e Yekaterinburg, pranë maleve Urale.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha muajin e kaluar se gazetari akuzohet për “mbledhjen e informacioneve sekrete” me urdhër të CIA-s. Sipas akuzës, Gershkovich po mblidhte informacion rreth Uralvagonzavod-it, një impiant rreth 150 kilometra në veri të Jakterinburgut që prodhon dhe riparon tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel tha të enjten se Uashingtoni po e ndjek nga afër procesin kundër gazetarit Gershkovich.
“Deri më sot, Rusia nuk ka ofruar asnjë dëshmi për kryerjen e një krimi dhe ka dështuar të justifikojë vazhdimin e mbajtjes në burg të Evanit”, tha Patel gjatë konferencës së rregullt për shtypin në Uashington.
Ai kërkoi lirimin edhe të një amerikani tjetër, Paul Whelan, zyrtar i korporatave amerikane të sigurisë, që gjithashtu është burgosur me akuzën për spiunazh.
Vedant Patel nuk pranoi të thotë ndonjë detaj nga bisedimet me Moskën për shkëmbimin e të burgosurve, por tha se po punojnë që të dy “t’iu kthehen familjeve të tyre”.
Rusia ka sinjalizuar mundësinë e një shkëmbimi të burgosurish që përfshin gazetarin Gershkovich, por ajo thotë se paraprakisht duhet të merret vendim për gazetarin, një gjë që mund të marrë muaj të tërë.
Por edhe nëse merret një vendim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit mund të duhen muaj apo vite.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të mërkurën në Kombet e Bashkuara se “shërbimet speciale” të Moskës dhe Uashingtonit po diskutojnë një shkëmbim të burgosurish që përfshin edhe Gershkovich.
Gazetari i “The Wall Street Journal” është djal emigrantësh rusë nga Bashkimi Sovjetik. Ai është gazetari i parë amerikan që është arrestuar dhe gjykohet me akuzën për spiunazh në periudhën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë person ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.
Një tjetër gazetare amerikane, Alsu Kurmasheva mbahet në burg prej tetë muajsh për shkak se nuk u regjistrua si agjente e huaj. Gazetarja që ka edhe nënshtetësi ruse, e Radios Evropa e Lirë, që ashtu si Zëri i Amerikës, është pjesë e Agjencia Amerikane për Media Globale, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.
Arrestimet e amerikanëve janë gjithnjë e më të shpeshta në Rusi. Nëntë shtetas amerikanë deri më tani dihet se mbahen atje pasi tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar për shkak të luftës në Ukrainë./voa
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co