Rusia i zgjat paraburgimin gazetares së REL-it, ja për çfarë akuzohet

rusia i zgjat paraburgimin gazetares se rel it ja per cfare akuzohet
rusia i zgjat paraburgimin gazetares se rel it ja per cfare akuzohet

Një gjykatë në Rusi zgjati masën e paraburgimit për gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila po akuzohet se ka shkelur ligjin për agjentët e huaj.

Gjykata në qytetin e Kazanit ia zgjati paraburgimin Kurmashevas, gazetares ruso-amerikane, deri më 5 prill. Seanca në gjykatën në qarkun Sovetski u mbajt prapa dyerve të mbyllura më 1 shkurt.

Avokati i Kurmashevas i kërkoi gjykatës që gazetares t’i ndryshohet masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak, por kjo kërkesë u refuzua.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar lirimin e menjëhershme të gazetares.

“Lajm i trishtueshëm për gazetaren amerikane Alsu Kurmasheva dhe familjen e saj, ata meritojnë të jenë së bashku. Alsu për katër muaj gjendet në një burg rus. Është e qartë se ajo po mbahet padrejtësisht sepse është amerikane dhe gazetare që guxon të bëjë punën e saj, që janë dy gjëra të patolerueshme për Moskën”, tha më 1 shkurt presidenti i REL-it, Stephen Capus.

Kurmasheva – gazetare në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke me dyshtetësi, amerikane dhe ruse – kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.

Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat. Prej atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.

Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevan me 110 dollarë për shkak se kishte “dështuar t’i njoftonte zyrtarët rusë se mban edhe një shtetësi tjetër”.

Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

Më 12 dhjetor, agjencia e lajmeve Tatar-Inform në Tatarstan dhe kanali Baza në Telegram, të dyja të lidhura me Qeverinë, thanë se Kurmasheva tani akuzohet për përhapjen e lajmeve “të rreme” për forcat e armatosura ruse, një akuzë që është e dënueshme me deri në 10 vjet burgim.

Grupi rus për të drejtat e njeriut, Memorial, e ka njohur Kurmashevën si të burgosur politike.

Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane e arrestuar në Rusi, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, ishte arrestuar marsin e vitit të kaluar dhe po pret nisjen e gjykimit nën akuza për spiunim, që ai, gazeta ku punon dhe Qeveria amerikane i mohojnë fuqishëm.

Moska është akuzuar se po i ndalon gazetarët amerikanë për t’i përdorur për këmbimin e tyre me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →