Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla tha se Rusia po tenton të ngrejë paralele absurde të ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund luftërave në ish-Jugosllavi dhe luftës agresive në Ukrainë.
Gërvalla mori shkas nga kërkesa e Rusisë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mbajë sot një mbledhje lidhur me 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, por formati i takimit e madje edhe mbajtja ose jo e tij mbetet e paqartë.
Gërvalla kujtoi masakrën në Krushë të Madhe dhe në fshatrat e tjera përreth në Rahovec 25 vjet në parë, ndërsa përmendi seancën e thirrur prej Rusisë.
“25 vite me parë në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe fshatrat përreth, Serbia kreu një masakër të tmerrshme ndaj popullatës civile të kësaj zone, duke vrarë 241 shqiptarë civilë. Këtë krim gjenocidal Serbia e bëri një ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe”, shkroi Gërvalla.
“25 vite pas, Rusia ka thirrur për sot një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar të ngrejë një paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi fushatën gjenocidale të Serbisë, dhe luftës së saj agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës”, shkroi zëvendëskryeministrja në një postim në Facebook.
Gërvalla shkroi se “martirët e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe masakrave të tjera të shtetit gjenocidal serb në Kosovë, sakrifica e papërshkrueshme e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë themel i lirisë dhe shtetësisë sonë”.
“Asnjëherë nuk do rreshtim së kujtuari dhe nderuari të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Saktifica e tyre është detyrimi ynë sublim për të ndërtuar dhe forcuar Republikën e Kosovës si shtet të qytetarëve të saj”, shkroi ajo.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co