Ushtria e Ukrainës tha të enjten se trupat ruse kryen gjatë natës sulme me dronë dhe raketa. Forcat ajrore ukrainase thanë se shkatërruan 8 nga 10 dronët. Ato u intereceptuan në rajonet Poltava, Dnipropetrovsk, Zaporizhzhia dhe Kharkiv.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës filloi në 24 shkurt të vitit 2022 dhe në prag të 2 vjetorit të agresionit, udhëheqësit e vendeve të G7-ës do të zhvillojnë një takim virtual për të diskutuar mbi mbështetjen e vendeve më të industralizuara për Ukrainën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetatëve se në diskutime do të marrë pjesë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe se udhëheqësit do të diskutojnë “mbi hapat e mundshëm që mund të merren bashkarisht për të mbajtur Rusinë përgjegjëse”.
Shtetet e Bashkura pritet të bëjnë publike të premten një paketë tjetër sanksionesh ndaj Rusisë, si për shkak të sulmit ndaj Ukrainës edhe për vdekjen në burg të udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller u tha gazetarëve të mërkurën se sanksionet do jenë të forta, por pa dhënë më tepër detaje.
Edhe Bashkimi Europian ra dakord të mërkurën për bllokun e 13 të sanksioneve të veta kundër Rusisë. Paketa e re do të përfshijë afro 200 subjekte dhe individë të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me kompani në Bashkimin Europian si dhe u ndalohet hyrja në vendet e bllokut.
“Me këtë paketë, po ndërmarrim më shumë veprime kundër subjekteve të përfshira në anashkalimin e sanksioneve dhe në sektorin e mbrojtjes dhe atë ushtarak”, shkroi shefi i politikes së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Sanksionet kanë si objektiv edhe kompanitë kineze që mundësojnë teknologjinë ushtarake për Rusinë./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co