Rusia ndal furnizimet me gaz në Europë përmes Ukrainës

rusia ndal furnizimet me gaz ne europe permes ukraines











































Gjiganti shtetëror i Rusisë, Gazprom, ka thënë se e ka pezulluar furnizimin e Evropës me gaz përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrainë, pasi Kievi ka refuzuar të nënshkruajë vazhdimin e kontratës që ka skaduar në fund të vitit 2024, dhe e cila është arritur para se të niste lufta e Moskës kundër Ukrainës.

gazprom

Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, Moldavia rrezikohet, meqë një central i madh i saj funksionon me gazin rus. Zyrtarët moldavianë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi është kuptuar se marrëveshja mes Moskës dhe Kievit nuk do të vazhdohet.

Centrali në rajonin e shkëputur, Transdnjestër, e ka ndalur punën më 1 janar, dhe operatori i tij ka bërë të ditur se është detyruar të ndalë ngrohjen dhe furnizimet me ujë të ngrohtë për të gjitha shtëpitë dhe ndërtesat administrative të rajonit, duke përjashtuar spitalet.

“E kemi ndalur trasitin e gazit rus. Është zhvillim historik”, ka thënë Ministria ukrainase e Energjisë përmes një deklarate.

“Rusia është duke humbur tregje, do të përballet me humbje financiare”.

Gazsjellësi i kohës sovjetike, ka bartur gaz nga Siberia në Sudzha të Ukrainës, dhe ka qenë i vetmi funksional, pas dëmit të gazsjellësit Rrjedha Veriore në fund të vitit 2022.

Puna në një tjetër gazsjellës, që ka bartur gazin nga Rusia në Poloni, përmes Bjellorusisë, është pezulluar, po ashtu, për shkak të nisjes së luftës.

Rusia e ka furnizuar dikur gjysmën e vendeve të Bashkimit Evropian me gaz natyror, mirëpo blloku i ka zvogëluar importet në mënyrë drastike, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

Ministria e Energjisë e Austrisë ka thënë se furnizimet e saj janë të garantuara, falë blerjeve që i ka bërë për rrjedhje të gazit përmes Italisë dhe Gjermanisë.

Sllovakia, kryeministri i së cilës, Robert Fico, e ka bërë një vizitë të pazakonshme në Moskë muajin e kaluar, pritet të mos përballet me ndonjë mungesë, ndonëse zyrtarët sllovakë kanë thënë se furnizimet alternative do të kushtojë 184 milionë dollarë më shumë.

Fico ka thënë se ky hap do të ketë ndikim “drastik” në BE, por jo në Rusi.
Hungaria dhe vendet tjera vazhdojnë të pranojnë gazin rus përmes një gazsjellësi tjetër, TurkStrem, që shtrihet në Detin e Zi.

Vendimi i marrë nga Kievi nënkupton që Ukraina do të humbë rreth 800 milionë dollarë në vit, që i siguronte nga taksat e transitit.

Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë rreth 5 miliardë dollarë nga zvogëlimi i shitjes.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →