Mediat ruse thonë se Moska po planifikon dislokimin e raketave balistike afër kufirit me Finlandën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell, analistët thonë se ky është kërcënimi fundit nga shumë kërcënime ushtarake që Rusia tashmë ka bërë kundër Finlandës pas anëtarësimit të saj në NATO vitin e kaluar.
Mediat ruse njofuan të hënën se Rusia planifikon të vendosë një sistem raketash balistike “Iskander” afër kufirit me Finlandën. Sipas tyre, kjo është një përgjigje ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO vitin e kaluar.
Por njoftimi nuk po ngre këmbanat e alarmit në Helsinki, thotë analisti i çështjeve të sigurisë Charly Salonius-Pasternak.
“Ky nuk është realisht lajm. Dhe sigurisht, kur bëhet fjalë për Rusinë, shpallja e planeve për të bërë diçka dhe zbatimi i tyre janë dy gjëra shumë të ndryshme”, thotë ai.
Analistët thonë se Finlanda po përballet me kërcënime të ndryshme sigurie nga Rusia që nga anëtarësimi i Helsinkit në NATO, i nxitur nga sulmi në shkallë të gjerë i Moskës ndaj Ukrainës.
Në fund të vitit të kaluar, mijëra emigrantë nga vende të ndryshme, duke përfshirë Sirinë dhe Somalinë filluan të mbërrinin në kufirin Finlandë-Rusi për të kërkuar azil.
Helsinki mbylli kufirin në nëntor, duke akuzuar Kremlinin për përdorim të migracionit si armë. Mbyllja e kufirit u zgjat për një kohë të pacaktuar këtë muaj.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen iu bashkua kryeministrit finlandez në një turne në rajonin kufitar javën e kaluar.
“Ky është një kërcënim hibrid dhe duhet trajtuar si një kërcënim hibrid ndaj sigurisë kombëtare. Ne po shikojmë se si një shtet po shfrytëzon njerëzit e varfër për të ushtruar trysni mbi një shtet tjetër”, tha ajo.
Finlanda po ndërton një gardh përgjatë një pjese të kufirit prej 1340 kilometrash me Rusinë dhe po shton patrullimet. Qeveria po debaton rreth një legji për të bllokuar hyrjen e azilkërkuesve nga Rusia.
Ursula Von der Leyen tha se çdo ligj për këtë çështje duhet të ketë një ekuilibër midis mbrojtjes së sigurisë dhe detyrimeve ndërkombëtare për të drejtat e refugjatëve.
Kërcënimet shkojnë përtej krizës së emigrantëve, thotë analisti Salonius-Pasternak.
“Pas mbërritjes së disa prej këtyre individëve në Finlandë, shërbimet ruse të sigurisë po përpiqen t’i rekrutojnë ata për të shkaktuar më pas kaos brenda Finlandës. Sigurisht që autoritetet finlandeze po përgatiten për sulme kibernetike nga Rusia, ndoshta sulme të tjera ndaj infrastrukturës, si dhe një vazhdim të shfrytëzimit të këtyre njerëzve nga Moska. Natyrisht, me mbarimin e dimrit, kalimi i kufirit bëhet shumë më i lehtë”, thotë ai.
Rusia mohon përpjekjet për të krijuar një krizë emigrantësh në kufirin finlandez. Moska e ka konsideruar anëtarësimin e Finlandës në NATO një “gabim historik” që do ta detyronte atë të merrte “kundërmasa”./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co