NGA EDUARD ZALOSHNJA
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar lidhur me Censin e 2023 për popullsinë, duke kundërshtuar rezultatin e deklarimit të besimit fetar. Sipas regjistrave tanë të pagëzimeve, thuhet në deklaratën e kishës tregohet qartë se numri i të krishterëve ortodoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në Cens, duke kujtuar se sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; ortodoksët 22.3% dhe katolikët 10%. Para kësaj deklarate të Kishës Ortodokse, edhe zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja, kishte shprehur dyshime për numrin e katolikëve të regjistruar nga Cens-23.
“Në këto vite, ne si komunitet katolik, nuk kemi kryer regjistrime për popullsinë. Prandaj, edhe neve na lind një angazhim për ta kryer këtë Cens nëpër Dioqezat dhe famullitë tona për ta njohur, edhe pse përafërsisht, por me realizëm, numrin e katolikëve në territor”, – deklaroi ai.
Vënia në dyshim e shifrave të Censit-23, bazuar në statistika të vjetra apo në regjistra pagëzimesh fetare, nuk merr parasysh lëvizjet tektonike demografike që kanë ndodhur në Shqipëri, sidomos gjatë 34 vjetëve të fundit. Kështu, duke ndërthurur shifrat e Censeve nga 1989 e këtej, me lindjet dhe vdekjet brenda territorit të vendit, rezulton se plot 1.62 milionë shtetas të lindur këtu nuk banonin në Shqipëri në fund të vitit 2023. Dhe nuk mund të dihet se cilave besimeve fetare u përkasin ata që janë larguar nga vendi…
Sidoqoftë, disa shqetësime të ngritura nga përfaqësuesit kishtarë rreth Censit-23 janë legjitime. Kështu, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (13.8%), të atyre që preferuan të mos përgjigjen (10.2%), dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm (5.6%) – në total 29.6% – e bën të paplotë tablonë e besimeve fetare që na jep Cens-23 për Shqipërinë. Në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), kishte edhe një pyetje rreth besimit fetar, konkretisht “Në cilën fe besoni, nëse besoni?”.
Dhe kësaj pyetje vetëm 0.2% e të anketuarve preferuan të mos i përgjigjen. Kështu që ky barometër na jep një tablo të plotë statistikore për besimet fetare të popullsisë së rritur të vendit. Siç pritej, rezultoi se dominojnë myslimanët sunitë me 57.7%, të ndjekur në distancë nga ortodoksët (12.7%), katolikët (11.9%), bektashinjtë (10.6%) dhe protestantët etj. (0.5%). Ndërkohë, 6.6% janë deklaruar ateistë/afetarë (shihni tabelën e mëposhtme).
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co