La Gazzetta dello Sport, e përditshmja më e madhe sportive italiane, i ka kushtuar një reportazh special përfaqësueses kuqezi. Dy faqe të plota nga kjo gazetë prestigjioze dedikuar kundërshtarit të parë në Euro 2024 për Italinë. Së pari evidentohet lidhja e fortë mes dy vendeve, që nuk ka të bëjë vetëm me pozicionin gjeografik. Janë të shumtë futbollistët e Shqipërisë që aktualisht luajnë në Serinë A italiane.
GJIMSHITI – “Flasin italisht, mendojnë si italianët dhe dashurojnë Italinë”, nis reportazhi i gazetës së njohur, që menjëherë citon lojtarin kryesor të Shqipërisë, kapitenin Berat Gjimshiti: “Duhet ta kenë të qartë se ne nuk i trembemi askujt. Është e vërtetë se Italia është e fortë, ka histori dhe është favorite. Por në futboll kemi parë se surprizat janë të shumta”. Pasi tregon se vitet e fundit Gjimshiti është stërvitur në Kombëtare nga emra trajnerësh, si De Biazi, Panuçi dhe Reja, “Gazzetta dello Sport” thekson se edhe çantat e shumta të zbarkuara nga magazinierët shqiptarë në “Tardini” të Parmës kanë diçka italiane… janë të sponsorit teknik të Shqipërisë “Macron” (edhe kjo italiane). Prestigjiozja sportive italiane pastaj tregon se tre bashkëpunëtorë të Silvinjos janë italianë. Bëhet fjalë për përgatitësin atletik Luka Laurenti (nga Terni), për analistin e takimeve Alariko Rosi (nga Siena) dhe mjekun Xhanluka Stesina (nga Torino). Gazetarëve italianë u kishte bërë përshtypje italishtja e rrjedhshme e shefit të marrëdhënieve me mediat në FSHF, Fatjon Kodra. “Ky i fundit, ashtu si eprori i tij, e flasin mjaft mirë gjuhën tonë”, thuhej në reportazh.
DUKA – “Dashuroj vendin tuaj, aty ku më parë gjetëm strehë kur ishim në vështirësi. Ishim të varfër dhe kërkonim punë. Tani udhëtoj shpesh me destinacion Milanon, Bergamon, Romën, Empolin dhe disa qytete të tjera. Vij për të parë djemtë tanë, nuk jetoj dot pa futboll dhe pa… makarona. Edhe në shtëpi gatuaj sikur të isha në grumbullim, edhe pse pjatat tona tradicionale janë fasulet, mishi dhe mbi të gjitha pula e pjekur”, tregon presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit pohon se ka një marrëdhënie mjaft të mirë me homologun e tij italian. “Ruaj raporte të mira me Gravinën. Erdhi në Tiranë në shkurt, pasi asistoi në ceremoninë kushtuar Paolo Rosit. Udhëtoi drejt vendin tonë së bashku me zonjën Rosi, Sakin, Tardelin dhe Kabrinin. Ai event preku shumë tifozë të Milanit, të cilët janë të shumtë në numër në Shqipëri, edhe pse kohët e fundit Asllani po shton shumë interistët”, tregon kreu i futbollit shqiptar, Armando Duka.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co