Gjykata e Sarandës ka caktuar mesditën e kësaj të marte si masë “Arrest në burg” për biznesmenin Erdion Muho, të dyshuar për veprën penale “shkatërrim prone me eksploziv” në bashkëpunim mbetur në tentativë. Seanca në ngarkim të tij u zhvillua në Spitalin e Sarandës, ku Muho mbahet i izoluar prej ndalimit të tij mbrëmjen e 28 korrikut, për shkak të problemeve shëmdetësore me veshkat. Gjyqtari Alban Veçani ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e tij dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai ka pranuar kërkesën e Prokurores Besiana Sadikaj, e cila ka ngritur akuzë pas 1 muaj hetime në ngarkim të Muhos, ku janë përdorur edhe metodat proaktive. Gjatë gjithë seancës së caktimit të masës së sigurisë, Muho ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës duke u shprehur se, …nuk kam lidhje fare me ngjarjen. Madje atë natë kam qenë në Korfuz. Nuk jam fajtor për çfarë ka ndodhur. Me Armand Nelajn, si sarandiot i vjetër unë dhe ai, njihemi, por deri kaq, jo më shumë aq më tepër të kem bashkëpunuar me të. Asnjëherë nuk kam diskutuar me të për një veprim të tillë. Pra nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe motivet që dyshon Prokuroria”.
Avokati mbrojtës, Agron Lamaj, ndërsa është shprehur se klienti i tij është i pafajshëm, njëherazi i kërkoi trupit gjykues, që për klientin e tij të merret një masë më të lehtë, si ai i “arrestit në shtëpi”, për faktin se ai nuk mund të largohet nga Saranda dhe se është i gatshëm të jetë pranë organit të akuzës sa herë ta kërkojnë…
Erdion Muho 35 vjeç, pronar i një agjensie turistike në qytet që operon edhe në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë- Korfuz, u ndalua me urdhër të Prokurores Besiana Sadikaj, mbrëmjen e 28 korrikut. Sipas urdhërit bazuar në provat e administruara në
dosjen penale, ekziston dyshimi se shtetasi Erdion Muho të jetë autori i veprës penale parashikuar nga neni 152 “Shkatërrim i pronës me eksploziv” kryer në bashkëpunim sipas nenit 25 të Kodit Penal me viktimëm Armand Nelaj, e cila mbeti në tentativë sipas nenit 22 të Kodit Penal. Sipas dosjes hetimore, janë
kryer veprime nga të cilat krijohet dyshimi se shtetasi Erdion Muho ka kryer veprën penale. Hetimi ka nisur pas ngjarjes së ndodhur në orën 22.00 të datës 24 Qershor, në afërsi të Portit Detar Sarandë, ku shpërthimi i një sasie ekplozivi i mori jetën 52-vjeçarit Armand Nelaj, biznesmen në fushën e makinerive të ndërtimit. Nga hetimet thuhet se dyshohet që Nelaj atë natë po afrohej në
kalatën e Portit për të vendosur një sasi eksplozivi në një nga tragetet e linjës Sarandë-Korfuz, por në rrethana ende të paqarta eksplozivi shpërtheu aksidentalisht. Prokuroria dyshon se bashkëpunëtor i Nelajt ishte pikërisht Erdion Muho dhe ngjarja kishte si motiv konkurencën
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co