Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, z.Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, ndodhet në një vizitë zyrtare disa ditore në vendin tonë. Në kuadër të kësaj vizite, ai ishte në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga kryetari H. Bujar Spahiu dhe drejtues të tjerë të lartë të institucionit. Pasi i uroi mirëseardhjen Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame dhe delegacionit të tij shoqërues, kreu i KMSH e njohu atë me institucionin që ai drejton, misionin, vizionin dhe rolin e tij në shoqërinë shqiptare.
“Personaliteti i z.Muhamed bin Abdulkerim el-Isas është i njohur kudo për kontributin e tij në promovimin e dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare. Aktiviteti i tij mbarëbotëror bazohet në frymën e Kuranit dhe të traditës Profetike, si i tillë, ky aktivitet mbart vlera të jashtëzakonshme fetare, sociale e humanitare me synimin për të ndërtuar ura të forta komunikimi mes feve, kulturave e qytetërimeve në mbarë botën.”
Ndërsa, z.Abdulkerim el-Isa vlerësoi rolin model të bashkëjetesës ndërfetar që servir vendi ynë, jo vetëm për rajonin por për mbarë botën, në këtë kontekst ai veçoi rolin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si mjaft të rëndësishëm.
“Jam mjaft i kënaqur me pritjen që po më bëhet si nga institucionet publike po ashtu edhe nga vëllezërit tanë këtu në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Ne e njohim KMSH-në si një kështjellë, si një kala të distancimit nga çdo lloj forme ekstremiteti dhe dhune, andaj jam shpresëplotë se kjo vizitë do të sjellë fryte për të gjithë, qoftë nga ana fetare po ashtu edhe nga ajo humanitare e sociale, pasi me lejen e Zotit do të kemi projekte të ndryshme të cilat do të duam t’i zhvillojmë së bashku në të ardhmen.”
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame u vlerësua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Kolegji Universitar Bedër, gjatë një ceremonie të zhvilluar me këtë rast në ambientet e këtij institucioni.
“Vlerësimi i sotëm nga ky institucion, më shton edhe më shumë përgjegjësinë për ta çuar më tej misionin e konsolidimit dhe promovimit të paqes në të gjithë botën. Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, pasi siç të gjithë e dimë, universiteti apo institucionet arsimore në përgjithësi, janë djepi ku edukohen brezat e rinj me frymën e vlerave morale universale”
Gjatë këtyre ditëve, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, po kryen vizita të ndryshme zyrtare në institucionet publike të vendit tone, si presidence dhe kryeministri.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co