Prokuroria e Posaçme dërguar për gjykim dosjen dy drejtuesit e grupit kriminal të trafikut të drogës në Francë, Zabit (alias Artur) Fisniku dhe Redian (alias Refik) Doda, si edhe ndihmësin e tyre Fabi Isaku.
Ndaj Redian (alias Refik) Doda janë ngritur akuzat për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 5 episode, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.
Ndaj Zabit (alias Artur) Fisniku janë ngritur akuzat për veprat penale Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 3 episode dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.
Ndaj Fabi Isakut janë ngritur akuzat për veprat penale Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.
HETIMET
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se si drejtues grupit janë identifikuar dy të pandehurit Redian (alias Refik) Doda dhe Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri tjetër Fabi Isaku, si edhe bashkëpunëtorët e proceduar dhe gjykuar në Francë kanë patur rolin e ndihmësve.
SPAK informon se kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74).
Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).
Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore (SPH) me autoritetet franceze të drejtësisë përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal me Nr. 38 të vitit 2023, në ngarkim të 3 të pandehurve:
- Redian (alias Refik) Doda – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 5 episode (të datave 22.01.2023, 17.02.2023, 08.03.2023, 13.03.2023 si dhe 18.06.2024), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1 gërmat “a”, “b”, dhe 28/4 në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
iii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
- Zabit (alias Artur) Fisniku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 3 episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
- Fabi Isaku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 si dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, së bashku me autoritetet franceze të drejtësisë janë administruar prova mbi bazën e të cilave ka rezultuar se gjatë periudhës gusht-dhjetor të vitit 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim në qarkun e Albertville (73), lidhur me veprimet e një grupi të organizuar kriminal, i cili është marrë me trafikun e drogës.
Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.
Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).
Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Bazuar në hetimet e kryera janë identifikuar si drejtues të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kanë patur rolin e ndihmësve.
Sekuestrimi i 1 mln euro drogë
Gjatë operacionit të përbashkët të autoriteteve franceze në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, u vendosën në pranga 19 anëtarë të një grupi kriminal të trafikut të drogës me bazë në Lion.
Në Shqipëri u arrestuan Zabit Fisniku, Redian Doda dhe Fabi Isaku. Zabit Fisniku rezulton i dënuar me 16 vite burg për trafikim femrash dhe drejtonte grupin nga Shqipëria së bashku me Redian Dodën.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ky grup kriminal e kishte aktivitetin në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës dhe Savojës së sipërme.
Nga hetimet, sipas SPAK, është bërë e mundur të vërtetoheshin dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone, Ain, Savojë dhe Savojës së sipërme nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit.
Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, si edhe sekuestrimin një shumë prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve.
Ndërsa SPAK ka sekuestruar një llogari bankare në euro në emër të Redian Dodës dhe shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar:
· 15 automjete,
· 34.270 euro cash,
· 1000 franga zviceriane,
· 180.000 lekë të reja,
· 9 aparate celularë,
· 3 tableta,
· 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
Ndërkohë sipas Prokurorisë së Posaçme vera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon shumën prej 1 milion euro.