Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, do të takohet me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, të enjten në Moskë, njoftoi të mërkurën zyra e ministrit serb.
Siç thuhet në njoftim, Daçiç do të udhëtojë drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë.
Takimin e dy shefave të diplomacisë e kishte paralajmëruar më herët zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
Serbia do të bëhet kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Ndeshja miqësore mes kombëtareve të Rusisë dhe Serbisë në Moskë është planifikuar të zhvillohet më 21 mars.
Federata e Futbollit e Rusisë e ka cilësuar këtë ndeshje si “duel vëllazëror”.
Dy ditë pas përballjes së ekipeve kombëtare, më 23 mars, kampioni i Serbisë në futboll, Cervena Zvezda, dhe kampioni i Rusisë, Zenit Shën Petersburg – do ta luajnë një ndeshje miqësore në Beograd.
Derisa kombëtaret e tjera evropiane, si Anglia apo Polonia, e shpërfillin ekipin kombëtar rus, kombëtarja e Serbisë ndjek politikën shtetërore.
Beogradi zyrtar nuk ka pranuar të bëhet pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian – megjithëse synon të anëtarësohet në të – prej kur blloku filloi ta sanksionojë Rusinë dy vjet më parë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Autoritetet në Serbi nuk i kanë ndërprerë asnjëherë kontaktet me Kremlinin gjatë kësaj kohe.
Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Rusisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – e shpallur nga Prishtina zyrtare më 2008 – por nga viti 2011 zhvillon dialog me të, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co