Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.
Sipas saj, shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arritisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.
“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pa ofruar ndonjë dëshmi për këto pretendime.
Ajo e ka bërë këtë postim në rrjetin social Facebook, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.
Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.
Autoritetet e Serbisë e kanë konsideruar sulmin si terrorist dhe kanë nisur operacion të madh kërkimi.
Përveç Hajrizit – i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës.
“Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.
Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.
“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”.
Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co