SHBA: Bashkëpunimi ushtarak në rritje Iran-Rusi duhet ta shqetësojë botën

shba bashkepunimi ushtarak ne rritje iran rusi duhet ta shqetesoje boten
shba bashkepunimi ushtarak ne rritje iran rusi duhet ta shqetesoje boten

Shtetet e Bashkuara thanë se bashkëpunimi në rritje mes Teheranit dhe Moskës, në aspektin ushtarak, është “shqetësues”, pas raportimeve se Irani ka dërguar disa dërgesa me raketa balistike në Rusi.

Reuters raportoi më 21 shkurt se Irani ka furnizuar Rusinë me qindra raketa përmes katër dërgesave që nga janari, dhe një zyrtar anonim ushtarak iranian citohet të ketë thënë se “do të ketë edhe më shumë dërgesa në javët në vijim”.

Përderisa zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë ende publikisht nuk kanë konfirmuar raportimin e Reutersit, ky zhvillim është në përputhje me paralajmërimet e SHBA-së.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se përderisa nuk mund të komentojë drejtpërdrejt për raportimin, rritja e bashkëpunimit ushtarak mes Iranit dhe Rusisë “është diçka që duhet ta shqetësojë mbarë botën”.

“Për një kohë të gjatë ne kemi paralajmëruar se Rusia po negocionte me Iranin për blerjen e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe këto negociata po përparonin në mënyrë aktive”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Sipas këtij zëdhënësi, raportet në rritje mes Teheranit dhe Moskës janë bërë pasi Rusia “u bë më e izoluar” që nga nisja e pushtimit të fqinjit të saj, Ukrainës, më 24 shkurt 2022.

Më 20 shkurt, një zëdhënës i Ministrisë iraniane të Mbrojtjes, insistoi se bashkëpunimi ushtarak i shtetit të tij me Rusinë “nuk ka të bëjë fare me luftën në Ukrainë” dhe daton para nisjes së konfliktit.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Moska u godit nga sanksione të ashpra perëndimore, duke ia kaluar Iranit si shteti më i sanksionuar në botë.

Të dyja shtetet kanë thelluar raportet që kur ka nisur lufta, duke zgjeruar bashkëpunimin e tyre ekonomik dhe ushtarak.

Irani e ka furnizuar Rusinë me dronët “kamikazë” Shahed, që janë të lirë, por efektivë. Moska shpesh i përdor këto lloje dronësh për të shënjestruar caqet e infrastrukturës civile në Ukrainë.

Irani ka mohuar se ka furnizuar Rusinë me dronë për t’i përdorur ato kundër Ukrainës dhe ka insistuar se i ka shitur “një numër të kufizuar” të dronëve Moskës para nisjes së luftës. Rusia po ashtu ka refuzuar raportimet se përdor dronët iranianë në luftë.

Megjithatë, Ministria ruse e Mbrojtjes në korrik të vitit 2023 duket se konfirmoi në revistën e saj mujore se droni i llojit Geran-2, në fakt ishte droni i prodhimit iranian, Shahed-136.

Reuters tha se dërgesat iraniane përfshinin raketat balistike me rreze të shkurtër veprime të llojeve Fateh-110 dhe Zolfaqar.

Ky raportim vjen pasi kufizimet e Kombeve të Bashkuara për importet dhe eksportet e raketave nga Irani skaduan në tetor të vitit 2023, edhe pse Britania dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar se do të vazhdojnë të vendosin sanksione ndaj Iranit.

Një muaj më herët, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka marrë pjesë në një ekspozite të armëve të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në Teheran.

Nëse konfirmohet, furnizimi i Rusisë me raketa iraniane “do të ndryshonte lojën, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë politik”, tha John Krzyzaniak, hulumtues në projektin Wisconsin për kontrollin e armëve bërthamore.

Është më e vështirë të mbrohesh nga raketat sesa dronët, dhe kjo i lejon Rusisë të kryejë sulme më shkatërruese nga distanca të largëta.

Krzyzaniak shtoi se tregtia do t’i mundësonte Iranit një fitim të papritur dhe rritje të reputacionit, por edhe mund të shndërrohet “në një mjet pazari në marrëveshjet e tjera me Rusinë”.

Vitin e kaluar ka pasur raportime se Teherani ka finalizuar një marrëveshje me Moskën për blerjen e avionëve luftarakë të llojit Sukhoi Su-35. Në të kaluarën, vëzhguesit kanë sugjeruar se një prej objektivëve të Iranit përmes furnizimit të Rusisë me armë, është që të posedojë avionë luftarakë të avancuar.

Rusia ka nisur përdorimin në luftë të raketave verikoreane. Megjithatë, raketat balistike të Iranit me rreze të shkurtër veprimi veçse janë testuar në fushëbetejë, tha Nicole Grajewski, hulumtuese në programin për politika të paqes bërthamore në Carnegie.

Sipas saj, përderisa dërgesat e raketave do të çimentonin edhe më shumë bashkëpunimin në rritje ushtarak mes Teheranit dhe Moskës, kjo nga Perëndimi do të shihej si përshkallëzim. /rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →