Ushtria amerikane dhe ajo e Irakut kryen një sulm të përbashkët me objektiv militantët e grupit Shteti Islamik në shkretëtirën perëndimore irakiane, ku për pasojë u vranë të paktën 15 persona ndërsa 7 trupa amerikane mbetën të plagosura.
Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane tha të shtunën se militantët ishin të pajisur me “armatime, granata dhe mjete vetëvrasëse”, gjatë sulmit, i cili sipas forcave irakiane u krye të enjten në shkretëtirën Anbar. Iraku njoftoi më herët për sulmet, por pa thënë se pjesë e tyre ishin Shtetet e Bashkuara.
“Operacioni kishte si objektiv udhëheqësit e ISIS-it me qëllim shkatërrimin e aftësive të tyre për të planifikuar dhe kryer sulme kundër civilëve në Irak, si edhe qytetarëve amerikanë, aleatëve dhe partnerëve në rajon dhe më gjerë”, tha Komanda Qendrore, e cila shtoi se nuk kishte të dhëna për të vrarë nga radhët e civilëve.
Ushtria e Irakut tha se mes të vdekurve ishin udhëheqësit kryesorë të ISIS-it, por pa i identifikuar ata.
Një zyrtar i mbrojtjes amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se 5 trupa amerikane u plagosën në sulm, ndërsa dy të tjerë u lënduan gjetkë./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co