Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se janë të përgatitura për t’iu përgjigjur veprimeve ndarëse dhe kundër Marrëveshjes së Dejtonit të aktorëve lokalë në Bosnje e Hercegovinë, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Sarajevë.
Një ditë më parë, të martën, u publikua Ligji Zgjedhor i Republikës Sërpska (RS) – entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës – në Gazetën Zyrtare të këtij entiteti.
Ligji Zgjedhor i Republikës Sërpska parashikon përvetësimin e kompetencave shtetërore të subjekteve në fushën e zgjedhjeve. Kjo nënkupton se Komisioni Republikan Zgjedhor i RS-së e merr rolin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës në organizimin e zgjedhjeve lokale, si dhe zgjedhjet për Asamblenë Parlamentare të entitetit dhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e RS-së. Asambleja Parlamentare e miratoi këtë ligj në fund të marsit.Ambasada amerikane e quajti antikushtetues dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga Qeveria e RS-së.
“Të gjitha zgjedhjet e zhvilluara sipas një sistemi zgjedhor paralel jokushtetues, nuk do të kishin legjitimitet, dhe ata që janë të përfshirë në organizimin e tyre, do të merrnin pjesë në veprime jodemokratike, antikushtetuese dhe kundër Dejtonit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane për Radion Evropa e Lirë.
Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.
Prej atëherë, entitetet nuk kanë juridiksion dhe as nuk mund të organizojnë zgjedhje në gjithë territorin e Bosnjës. Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk u jep të drejtat entiteteve për zhvillimin e zgjedhjeve.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co