Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën tha të martën se Pekini po kërkon ta nxisë epideminë e fentanilit në Shtetet e Bashkuara duke subvencionuar kimikatet e nevojshme për të prodhuar drogën dhe opioide të tjera sintetike.
Një raport i komisionit thotë gjithashtu se Kina po ndërhyn tek hetimet amerikane ndaj prodhuesve të paligjshëm, duke i paralajmëruar ata paraprakisht dhe duke i lejuar që ta bëjnë më të vështirë zbulimin e aktiviteteve të tyre nga autoritetet.
Hetuesit e komisionit thanë të martën se një faqe interneti e qeverisë kineze ofron uljen e taksave për kompanitë që prodhojnë përbërësit specifikë të fentanilit me kusht që t’i shesin jashtë Kinës.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, i cili dëshmoi në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve, tha se raporti “zbuloi prova bindëse” që nënkuptojnë subvencionimin e kimikateve përbërëse të fentanilit. Zoti Barr rekomandoi që Shtetet e Bashkuara t’i kërkojnë qeverisë kineze që ta zbatojë me rigorozitet ligjin për këtë çështje.
Presidenti Joe Biden dhe homologu kinez, Xi Jinping, u pajtuan në muajin nëntor që të rifillojnë bashkëpunimin dypalësh për të frenuar trafikun e drogës dhe rrjedhën e përbërësve të fentanilit.
Ligjvënësi republikan, Mike Gallagher, i cili drejton komisionin, tha se: “Përmes veprimeve të saj, siç tregojnë gjetjet e raportit tonë, Partia Komuniste e Kinës po na thotë se dëshiron që sasi më të mëdha fentanili të futen në vendin tonë”. “Ajo kërkon kaosin dhe shkatërrimin që ka sjellë epidemia”, shtoi ai.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ambasada e Kinës në Uashington përsëriti sinqeritetin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara për të goditur trafikun e drogës dhe për të kontrolluar lëndët përbërëse të fentanilit.
Zëdhënësi i ambasadës, Liu Pengyu, tha për Reuters se: “Është shumë e qartë se Kina nuk ka asnjë problem me fentanilin dhe kriza e fentanilit në Shtetet e Bashkuara nuk është shkaktuar nga pala kineze dhe se fajësimi verbërisht i Kinës nuk mund ta zgjidhë problemin e SHBA-së”.
Komisioni bëri thirrje për krijimin e një ekipi të posaçëm për të konsoliduar burimet ekonomike, të zbulimit dhe zbatimit të ligjit, që raporton tek Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara. Grupi i posaçëm do të ndihmonte presidentin në çështjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe do të vëzhgonte tregun e zi të opioideve.
Komisioni i bëri thirrje Kongresit që të japë sqarime lidhur me pushtetin e presidentit për të sanksionuar palët e përfshira në trafikun e drogës, ndërsa kërkoi që Shtetet e Bashkuara të vënë sanksione ndaj shkelësve dhe të raportojnë rregullisht në Kongres mbi vendosjen e sanksioneve.
Ligjvënësi demokrat, Raja Krishnamoorthi, e dënoi aftësinë e kompanive kineze për të shitur në internet opioide sintetike. Ai tregoi foto të një faqeje të tillë në internet, duke thënë se: “Ka qindra postime të tilla në faqet e internetit, qindra”. “Është krejtësisht e papranueshme”, shtoi ai.
Shumica e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga mbidoza janë të lidhura me fentanilin dhe shpesh, droga të tjera kanë përbërës fentanili dhe blerësit nuk e dinë këtë./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co