Shtetet e Bashkuara morën vendim t’i shesin armë në vlerën e 2 miliardë dollarëve Tajvanit, përfshirë dërgimin për herë të parë në ishull, të një sistemi të mbrojtjes ajrore që është provuar në Ukrainë, njoftoi Pentagoni të premten.
Shtetet e Bashkuara janë të detyruara me ligj t’i ofrojnë Tajvanit mjete për të mbrojtur veten, pavarësisht mungesës së lidhjeve zyrtare diplomatike. Një gjë e tillë ka shkaktuar zemërimin e vazhdueshëm të Pekinit.
Kina ka rritur presionin ushtarak kundër Tajvanit, duke zhvilluar një raund të ri stërvitjesh ushtarake pranë ishullit javën e kaluar, hera e dytë që kur Lai Ching-mori detyrën si president i Tajvanit, në muajin maj.
Pentagoni tha se sasi e re e armëve përbëhej nga 1.16 miliardë dollarë në sisteme të mbrotjes ajrore si dhe radarë në vlerën e rreth 828 milionë dollarëve.
“Kjo shitje e propozuar i shërben interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së e mbështet përpjekjet e vazhdueshme të (Tajvanit) për të modernizuar forcat e tij të armatosura dhe për të ruajtur një aftësi të besueshme mbrojtëse”, thuhej në deklaratën e Pentagonit.
“Shitja e propozuar do të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë së Tajvanit si dhe do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit politik, ekuilibrit ushtarak dhe përparimit ekonomik në rajon”.
Kjo është hera e parë që Pentagoni i dërgon Tajvanit sistemin e avancuar të mbrotjes ajrore NASAMS.
Sistemi NASAMS është testuar në fushëbetejë në Ukrainë dhe përfaqëson një rritje të konsiderueshme të aftësive të mbrojtjes ajrore që Shtetet e Bashkuara po eksportojnë drejt ishullit.
Një burim i qeverisë amerikane i tha agjencisë ‘Reuters’ se NASAMS është një armë e re për Tajvanin, dhe se Australia dhe Indonezia janë të vetmet vende në rajon që operojnë një sistem të tillë aktualisht.
Ministria e mbrojtjes e Tajvanit përshëndeti njoftimin, duke vënë në dukje faktin se sistemi i ka dhënë tashmë provat në Ukrainë, duke shtuar se NASAMS se do të ndihmonte në forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, përballë manovrave të shpeshta ushtarake të Kinës.
Kina e ka shprehur hapur dhe me forcë kundërshtinë e saj ndaj Presidentit të Tajvanit Lain dhe ka kundërshtuar thirrjet e tij të përsëritura për bisedime.
Lai i ka hedhur poshtë pretendimet e Pekinit lidhur me ishullin duke thënë se vetëm banorët e Tajvanit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.
Pekini vazhdoi të shtunën sulmet ndaj Lai dhe tha se e ardhmja e Tajvanit është ribashkimi i plotë me Kinën./voa