Gjatë fundjavës, presidenti Joe Biden vizitoi zonat e prekura nga uragani Milton në Florida dhe njoftoi një ndihmë të re prej gjysmë miliardi dollarësh për të përmirësuar rrjetin elektrik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Patrick Bresnan nga Karolina e Veriut pavarësisht se përpjekjet për ndihmë dhe rimëkëmbje vazhdojnë, zyrtarët paralajmërojnë se dezinformatat po përhapen me shpejtësi ndërsa dita e zgjedhjeve po afron.
Presidenti Joe Biden vizitoi gjatë fundjavës zonat e shkatërruara nga uragani Milton në Florida. Ai njoftoi një fond prej 612 milionë dollarësh për të mbështetur komunitetet e prekura nga Milton dhe uragani që i parapriu, Helene.
“Ky financim jo vetëm që do të rikthejë energjinë elektrike, por do ta bëjë sistemin energjetik më të aftë të përballojë fatkeqësitë dhe do të zvogëlojë kohëzgjatjen e ndërprerjeve të energjisë, ndërsa dukuritë ekstreme të motit bëhen më të shpeshta”, tha Presidenti Biden.
Megjithatë, dezinformatat rreth përgjigjes së qeverisë federale janë përhapur me shpejtësi. Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, i tha rrjetit CBS se ai është “tepër i shqetësuar”.
“Është jashtëzakonisht e dëmshme. Kemi individë që kanë nevojë për ndihmë dhe të cilët nuk e kërkojnë atë për shkak të informacionit të rremë. Ne kemi nevojë që zyrtarët të hedhin poshtë këto informacione të rreme, dhe nuk po shohim këtë gjë të ndodhë”, tha Sekretari Mayorkas.
Kandidatja demokrate për president Kamala Harris kaloi fundjavën në Karolinën e Veriut. Të shtunën, ajo iu bashkua aktivistëve që po ndihmojnë të prekurit ndërsa pjesa perëndimore e shtetit po përballet me pasojat e uraganit Helene.
Rivali politik i Nënpresidentes Harris, Donald Trump, ka kritikuar administratën e Presidentit Biden për atë që ai e konsideron një reagim të dobët ndaj uraganit.
Kandidati republikan për nënpresident, JD Vance u pyet të dielën për informacionet e rreme që shpërndarë ish-presidenti, përfshirë atë se ndihma për viktimat, që dihen se janë republikanë është ndalur qëllimisht nga agjencitë federale apo se ajo u jepet emigrantëve pa leje qëndrimi.
“Ligjvënësit republikanë në terren, që përfaqësojnë atë zonë, thonë se duhet të telefonojnë Shtëpinë e Bardhë për të siguruar ushqim dhe ujë për të prekurit. Nuk mendoj se kjo bëhet me qëllim, por mendoj se ne kemi pasur një reagim të dobët ndaj kësaj krize të veçantë”, tha zoti Vance.
Zëri i Amerikës vizitoi zonat e goditura nga uragani në qytetin Asheville, të Karolinës së Veriut dhe foli me disa nga të prekurit për reagimin e qeverisë.
“Nga ajo që kam parë, e gjithë Garda Kombëtare duket se është në lëvizje, shohim helikopterë që fluturojnë gjithë kohën. Mendoj se ka një reagim të duhur”, thotë Elliot, banor i qytetit Asheville.
“Nuk kemi pasur ende ndonjë mbështetje nga qeveria federale apo e qytetit, por ndoshta do të vijë”, thotë Dan Juhnke, banor i Asheville.
Ndërsa ndihmat po mbarojnë, Shtëpia e Bardhë po i kërkon Kongresit të miratojë financime shtesë përpara zgjedhjeve presidenciale më 5 nëntor.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co