Shtetet e Bashkuara vendosën të martën veton ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit që do të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.
Projekt-rezoluta fitoi 13 vota pro midis 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Shtetet e Bashkuara votuan kundër. Britania abstenoi.
Për t’u miratuar, një projekt-rezolutë e Këshillit të Sigurimit ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga asnjë prej pesë anëtarëve të përhershëm të këshillit – Britania, Kina, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara.
Rezoluta e hartuar nga Algjeria do të kishte kërkuar një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza dhe do të dënonte të gjitha sulmet kundër civilëve. Drafti do të kishte refuzuar zhvendosjen e detyruar të popullatës civile palestineze dhe do të kishte kërkuar qasje të papenguar humanitare në Gaza. Drafti gjithashtu do të kërkonte lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.
Para votimit mbi projekt-rezolutën, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, tha se drafti algjerian do të rrezikonte përpjekjet e vazhdueshme drejt një marrëveshjeje pengjesh. Ajo tha se delegacioni i saj po punonte për një projekt-rezolutë rivale që do të bënte thirrje për një “armëpushim të përkohshëm” bazuar në formulën që të gjithë pengjet të lirohen.
Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, tha para votimit se Uashingtoni vazhdon t’i japë Izraelit “licencë për të vrarë”. Ai u kërkoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit “të kundërshtojnë paligjshmërinë e Uashingtonit”.
Duke folur pas votimit, Nebenzia tha se përgjegjësia e plotë për pasojat e rezultatit të së martës bie mbi Uashingtonin, pavarësisht se sa fort përpiqen Shtetet e Bashkuara t’i shmangen duke folur për “përpjekjet e tyre të rëndësishme ndërmjetësuese”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co