SHBA, zyrtarët zgjedhorë i japin përparësi sigurisë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit

shba zyrtaret zgjedhore i japin perparesi sigurise para zgjedhjeve presidenciale te nentorit
shba zyrtaret zgjedhore i japin perparesi sigurise para zgjedhjeve presidenciale te nentorit

Zyrtarët zgjedhorë amerikanë thonë se janë të sigurtë që do të jenë në gjendje të përballen me kërcënimet ndaj zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Në qytetin e Aleksandrisë në shtetin e Virxhinias, korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias përcolli nga afër stërvitjen e komisionerëve të zgjedhjeve, njëra prej disa nga masat që po ndërmirren për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente.

Muajin e kaluar, zyrtarë amerikanë i thanë Kongresit se zgjedhjet presidenciale amerikane do të jenë të drejta dhe të sigurta për shkak të shtrëngimit të masave mbrojtëse dhe bashkëpunimit në rritje ndërmjet autoriteteve në nivelin federal, shtetëror dhe lokal.

“Nga kërcënimet kibernetike, nga kërcënimet fizike, nga rreziqet operacionale dhe nga ndikimi i huaj keqdashës. Një gjë që duhet theksuar është se fakti që infrastruktura jonë zgjedhore është e decentralizuar, pasi menaxhohet në nivel shteti, janë 8,800 juridiksione në tërë vendin dhe ky heterogjenitet ndihmon në qëndrueshmërinë e sistemit”, thotë Jen Easterly, drejtore e Agjencisë për siguri kibernetike dhe të infrastrukturës.

Në qytetin e Aleksandrisë në shtetin e Virxhinias, për shembull, aparatet e skanimit të fletëvotimit nuk janë të lidhur me internet, duke e bërë procesin më të sigurtë ndaj sulmeve kibernetike.

“Përveç kësaj, ne testojmë aparatet e skanimit para zgjedhjeve për saktësi, që të sigurohemi se janë të programuara siç duhet”, thotë Angie Maniglia-Turner, drejtore e zgjedhjeve në Aleksandri.

Për të siguruar një proces transparent, qyteti ka stërvitur mbi 500 komisionerë për zgjedhjet paraprake dhe zgjedhjet e nëntorit. Ata po përgatiten për kushtet e votimit, si dhe si t’i përdorin aparatet e skanimit të fletëvotimeve dhe si të çertifikojnë rezultatet e kësaj zone elektorale. Zyrtarja zgjedhore Julie Podolsky sapo është trajnuar.

“Sa njerëz janë paraqitur. Sa fletëvotime janë futur në aparat, dhe këtë gjë po e bëjmë gjatë tërë ditës. Pastaj ndërrojmë funksionet e njëri-tjetrit. Prandaj, nuk ka mundësi që një ekip i tërë njerëzish të koordinohen për të bërë diçka të paligjshme”, thotë Julie Podolsky, zyrtare zgjedhore.

Duke marr parasysh ambientin e polarizuar politik dhe kërcënimet e mundshme, zyrtari zgjedhor Marc Dyer dhe të tjerët po ashtu po mësojnë për teknikat e shtensionimit.

“Mund të vijë ndonjë votues me qëllime të këqija apo me disponim të keq, por të shumtën e kohës, ka qenë një përvojë e këndshme”, thotë Marc Dyer, zyrtar zgjedhor

Analistët e intervistuar nga Zëri i Amerikës po ashtu presin që, në përgjithësi, zgjedhjet presidenciale të kalojnë pa incidente.

“Shumë njerëz janë të angazhuar në vëzhgimin e sistemit tonë zgjedhor dhe armiqve kjo gjë nuk iu pëlqen. Ata janë në kërkim të shënjestrave të ndjeshme, gjërave që njerëzit nuk ua vënë veshin. Andaj, mendoj se për shkak të këtyre arsyeve nuk do të ketë shqetësime sigurie në zgjedhjet e vitit 2024”, thotë Anton Dahbura, drejtor i Institutit për Siguri Informacioni pranë Universitetit Johns Hopkins.

Por ekziston një kërcënim i një lloji tjetër, që votuesit duhet ta kenë parasysh, thonë organizatat që mbikqyrin zgjedhjet.

“Ka dezinformim dhe keqinformim që po përhapet për sistemet zgjedhore dhe për rrjedhën e gjërave për të minuar besimin në procesin demokratik. Dhe mendoj se ky është një shqetësim shumë më serioz”, thotë Susannah Goodman, drejtore e organizatës “Kauza e Përbashkët”.

Votuesve amerikanë po u kërkohet vigjilencë; të punojnë vullnetarisht për të ndihmuar procesin zgjedhor, apo të bëhen vëzhgues zgjedhjesh si dhe të kontaktojnë autoritetet nëse kanë pyetje se si funksionon procesi zgjedhor./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →