Bota

Shefi i shtabit të Forcave të Armatosura paralajmëron: Polonia duhet të përgatisë ushtrinë për konflikt në shkallë të gjerë

shefi i shtabit te forcave te armatosura paralajmeron polonia duhet te pergatise ushtrine per konflikt ne shkalle te gjere



































Polonia duhet të përgatisë ushtarët e saj për konflikt të gjithanshëm, tha të mërkurën shefi i shtabit të forcave të saj të armatosura, ndërsa vendi po rrit numrin e trupave në kufirin me Rusinë dhe Bjellorusinë.

gjenerali

Marrëdhëniet e Polonisë me Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Moska filloi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës fqinje më 24 shkurt 2022.

“Sot, ne duhet të përgatisim forcat tona për konflikt në shkallë të gjerë, jo një konflikt të tipit asimetrik”, tha në një konferencë për shtypin shefi i shtabit të ushtrisë polake, gjenerali Wieslaw Kukula.

“Kjo na detyron të gjejmë një ekuilibër të mirë mes misionit kufitar dhe ruajtjes së intensitetit të stërvitjeve të ushtrisë sonë”, tha ai.

Duke folur në të njëjtën konferencë për shtypin, zëvendësministri polak i Mbrojtjes Pawel Bejda tha se që nga gushti, numri i trupave që ruajnë kufirin lindor të Polonisë do të rritet nga 6 mijë në 8 mijë dhe ato do të mund të mbështeten brenda 48 orëve nga një kontingjent prej 9 mijë trupash të tjera.

Në maj, Polonia publikoi detajet e “Mburojës Lindore”, një program prej 2.5 miliardë dollarësh për forcimin e mbrojtjes përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë dhe Rusinë, të cilat Varshava planifikon t’i shpenzojë deri në vitin 2028.

Kufiri me Bjellorusinë ka qenë një pikë e nxehtë që kur emigrantët filluan të dyndeshin atje në vitin 2021, pasi Bjellorusia hapi rrugët e udhëtimit për njerëzit nga Lindja e Mesme, duke u ofruar atyre një rrugë të re jozyrtare për në Evropë. Bashkimi Evropian e ka konsideruar veprimin e Bjellorusisë një përpjekje për të krijuar një krizë artificiale.

Varshava ka rritur shpenzimet e mbrojtjes në më shumë se 4 për qind të prodhimit të saj të brendshëm këtë vit në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.

Gjenerali Kukula tha gjithashtu se interesi i lartë aktual i kandidatëve për t’u bashkuar me ushtrinë përbënte një dilemë nëse do të pranoheshin më shumë rekrutë sesa parashikohet nga buxheti, veçanërisht pasi ai tha se interesi për të shërbyer në ushtri pritet të fillojë të ulet ndjeshëm nga viti 2027.

Në fund të vitit të kaluar, Polonia kishte rreth 190 mijë ushtarë, duke përfshirë forcat tokësore, ajrore, detare, speciale dhe ato të mbrojtjes territoriale. Polonia planifikon ta rrisë në 300 mijë numrin e trupave të saj brenda pak viteve./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts