Shefja e diplomacisë së BE-së pret për herë të parë Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç! Takimet do zhvillohen të ndara, jo në kuadër të dialogut

Për herë të parë në cilësinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mirëpret sot në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Takimet, megjithatë, do të mbahen veç e veç dhe nuk do të jenë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson BE-ja.

Ato zhvillohen pak ditë pas një shpërthimi në kanalin kritik të Ibër-Lepencit – pjesa veriore e Kosovës – nga ku furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi dhe e dënoi atë.

BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, nisi mandatin pesëvjeçar të kryediplomates evropiane nga 1 dhjetori.

Në këtë detyrë, ajo do të ketë përgjegjësi edhe ndërmjetësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Procesi që nisi qysh në vitin 2011, kaloi përmes tre paraardhësve të saj – Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell – por dha pak rezultate drejt qëllimit përfundimtar.

Dhjetëra marrëveshje u arritën, por pak prej tyre u zbatuan në terren. Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në shtator të vitit 2023.

Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.

Një përpjekje e ish-ndërmjetësuesit Borrell për t’i ulur bashkë dy udhëheqësit, në fund të qershorit, rezultoi pa sukses, pasi Kurti nxori disa kushte për takimin – mes tyre, dorëzimin e ish-politikanit serb nga Kosova, Millan Radoiçiç, i cili e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Se cila do të jetë qasja e Kallasit ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tani, nuk dihet shumë.

Muajin e kaluar, ajo doli në një seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, por nuk tha asgjë konkrete për këtë proces.

Paraqitja e saj u përqendrua më shumë te lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Analistët me të cilët bisedoi më herët Radio Evropa e Lirë, u shprehën të befasuar nga mungesa e vëmendjes ndaj dialogut, duke thënë se “potenciali për destabilitet” në rajonin e Ballkanit Perëndimor “është mjaft i lartë”.

“BE-ja nuk e ka luksin ta lërë anash dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për kohë të gjatë”, tha Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi.

Në kohën e zhvillimeve të shpejta gjeopolitike, sipas tij, Kallas nuk bën të fokusohet në ruajtjen e status quo-së.

Për ta lëvizur përpara procesin, ai tha se Kallas mund t’i nxisë pesë vendet mosnjohëse të BE-së – Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Qipron dhe Rumaninë – që ta njohin Kosovën dhe, në këtë mënyrë, t’i bëjë trysni Serbisë për të hequr dorë nga refuzimi për njohjen e saj.

Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme estoneze theksoi nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Atëkohë, ajo po ashtu tha se Estonia e mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe se çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së”.

Më 2022 dhe 2023, Kallas u takua edhe me Kurtin në Tallin të Estonisë.

Në ato takime, ajo e falënderoi Kurtin që Kosova është rreshtuar përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, ndërsa Kurti e falënderoi atë për mbështetjen dhënë Kosovës në shtetndërtim.

Nëse takimet e sotme në Bruksel do të japin ndonjë sinjal për kursin që do të ndjekë Kallas në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet.

Të dyja vendet e kanë të qartë prej kohësh se normalizimi i marrëdhënieve është kusht për to për të përparuar drejt integrimit në BE./REL

The post Shefja e diplomacisë së BE-së pret për herë të parë Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç! Takimet do zhvillohen të ndara, jo në kuadër të dialogut appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →