Shifrat e Dinamos, Laçi si udhëkryq për katërshen e parë në kampionat

shifrat e dinamos laci si udhekryq per katershen e pare ne kampionat
shifrat e dinamos laci si udhekryq per katershen e pare ne kampionat

Ndeshja me Laçin është një lloj udhëkryqi për Dinamon, që duhet të “zgjedhë” ku do të shkojë: në “Final 4”, apo thjesht do të kënaqet me qëndrimin pa probleme në Superiore. Nëse zgjedhin variantin e parë, blutë duhet të fitojnë patjetër të shtunën në Elbasan, për të pritur pastaj një ndalesë të Tiranës në derbin me Partizanin, që luhet një ditë më parë.

Edhe pas humbjes së fundit kundër Partizanit mundësitë janë reale që kjo Dinamo të shkojë në ndeshjet shtesë pas kampionatit të rregullt, ku do të diskutohet titulli kampion. Skuadra e Mehmetit nuk ka asgjë për të humbur, nuk ka aspak presion dhe një fitore e mundshme me Laçin këtë fundjavë do të rriste shanset për të shkuar në “Final 4”. Në të kundërt, blutë do të mjaftoheshin me një sezon kolaudimi në elitë, që do të shërbente si një bazë e fortë për sezonin e ardhshëm.

SHIFRAT – Në katër ndeshje të luajtura këtë sezon me Laçin, Dinamo e ka bilancin pozitiv. Ka fituar dy herë në kampionat: 0-1 fazën e parë me golin e Zabërgjës, madje për shumë minuta luajti me 10 vetë, dhe 2-0 fazën e dytë në Durrës, me gola të Andonit dhe Bardhit. Në ndeshjen e fazës së tretë këto dy skuadra barazuan 1-1, ku për blutë shënoi Denison dhe pastaj barazoi Qato. Ky është goli i vetëm që Laçi ka shënuar në portën e Dinamos, sepse në fitoren 1-0 të kurbinasve në Kupë, golin e shënuan vetë blutë me Jankun (autogol). Statistikat nuk vendosin në futboll, por diçka tregojnë dhe në këtë rast Dinamo i ka shifrat në favor të saj.

NDRYSHIMET – Për ndeshjen e së shtunës Dinamo është e detyruar të ndryshojë në mesfushë, ku mungon Bakari Gudiabi, pas kartonit të kuq të marrë në derbin me Partizanit. Klevi Qefalija me siguri do ta nisë titullar këtë herë. Ai luajti si zëvendësues ndeshjen e fundit, por kundër Laçit kryeqytetasit kanë pak alternative për qendrën e mesfushës dhe Qefalija duhet të jetë patjetër, bashkë me Smaçin. Pjesa tjetër e skuadrës do të jetë po ajo e ndeshjeve të tjera. Rikthehet nga skualifikimi Janku, por që e nis nga stoli, si dhe Tusha që ka lënë pas dëmtimin.

TAHIRI – Përveç Gudiabit, për ndeshjen e së shtunës trajneri Mehmeti nuk do të ketë në dispozicion as sulmuesin Ardit Tahiri. Ai ka dëmtuar kaviljen të martën në stërvitje dhe duhet të qëndrojë disa ditë pushim, duke humbur kështu ndeshjen me Laçin, ndërsa për atë të radhës me Vllazninë duhet pritur si do të jetë gjendja. Titullari i majës së sulmit dinamovit është Kaçorri, por Tahiri është aktivizuar në ndeshjet e fundit, ku ka shënuar një gol. Blutë kanë edhe dy ditë kohë për të përgatitur strategjinë e ndeshjes me Laçin, ku pavarësisht mungesa, vetëm fitorja bën punë për 4-shen e parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →