Gjykata Administrative në Spanjë ka konfirmuar sot vendimin për të deklaruar Pedro Roça fajtor për shkeljet në detyrën e tij dhe pezullimin me dy vite nga të gjitha postet në administrimin sportiv. Vendimi ka ardhur dy ditë pasi Spanja festoi triumfin në Euro 2024, me Roça si drejtues i përkohshëm i Federatës së këtij vendi.
Ai u shpall fajtor për shkelje administrative në kohën kur ishte zëvendëspresident dhe drejtimin e institucionit e kishte Luis Rubiales. Të dy u shpallën fajtorë se larguan nga detyra në mënyrë të padrejtë Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës dhe kjo ka sjellë tashmë dënimin e tij me 2 vite pezullim, nga 6 që ishin dhënë në shkallën e parë.
Kështu, Roça jo vetëm që humb çdo lloj funksioni drejtues, por as nuk mund të paraqitet në zgjedhjet për president që zhvillohen gjatë këtij viti. Drejtimin e përkohshëm të Federatës Spanjolle e merr Maria Angeles García Çaves, deri tani zëvendëspresidente e Federatës Spanjolle.
Çaves, një ish-futbolliste e cila luante me nofkën “Yaye” në vitet e saj te Ekstremadura, është vetëm 38-vjeçare dhe është një figurë që nuk njihej në sferën e menaxhimit sportiv derisa drejtimin e Federatës e mori Roça. Ajo pritet të jetë në krye të kësaj organizate derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja ku pritet që të kandidojnë emra si VIsente Del Boske apo Iker Kasijas për vendin e lënë vakant nga drejtues të cilët janë larguar me radhë me turp për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve me postin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co