Partia Demokratike i konsideron “show” ndryshimet në kabinetin qeveritar që kryeministri Edi Rama bëri një ditë më parë gjatë punimeve të Kongresit zgjedhor socialist. Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari ironizon lëvizjet në qeveri duke e krahasuar mbledhjen e Kongresit të PS me “”shkuma party” me një dirigjent e qindra pjesëmarrës”. Sipas tij, gjithçka pati aty ishte mburrje e kërcënim para pasqyrës, ndërsa nuk pati asnjë moment adresimi për problemet e mprehta me të cilat po përballet vendi, si korrupsioni, varfëria, mungesa e shpresës, e rendit si dhe largimi i të rinjve.
“Asnjë bilanc, asnjë argument, asnjë vizion. Asnjë sqarim, së paku për anëtarët e partisë së tij, pse u ndryshuan 3 ministrat kryesorë, dhe çfarë do të sjellin këta të rinjtë. Thjesht një shfaqje në oborr, me befasi, e surpriza, sipas ndonjë ëndrre mëngjesi që i është fanitur mbretit. Një shkuma party në pallatin e kongresit të socialistëve, tallëse e përçmuese për çdo shqiptar. Duke ia ulëritur në sy, se nuk ka fare rëndësi çfarë ai, votuesi, qytetari, mendon, gjykon, e ka ndërmend të vendosë. Gjithçka e di ay, vetëm ay. E tëra në kokën e tij. Kjo shkuma party, ka arsye pse ndodh, pse derdhet në atë skenë. Arsyeja e parë, se nuk lejohet vota e lirë dhe e ndershme”, shprehet Muçollari.
Reagimi i plotë
Teksa po vononin këto ditë të nxehta të vinin ato fotot e videot virale nga shkuma party në plazhet e Jugut, që janë si zakon i pushimeve, na u shfaq skena më e madhe ndonjëherë e këtij trilli, deliri e vaniteti, nga pallati i kongresit të Partisë Socialiste. Forumi i thirrur me të madhe, nuk ishte gjë tjetër veçse një shkuma party, me një dirigjent e qindra pjesmarrës të gjithë duke u llokoçitur në vetëkënaqësinë e papërmbajtshme, si të ishin hyjnitë e këtij vendi, asgjë më pak. Shkuma party e socialistëve nën drejtimin e Edi Ramës, nuk pati asnjë moment kohë për të adresuar problemet e mprehta që janë jashtë asaj salle, si korrupsionin galopant, varfëria, largimi masiv i njerëzve, mungesa e shpresës, mungesa e sigurisë ushqimore, mungesa e rendit, modeli ekonomik që ka thelluar pabarazinë, braktisja e atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje si pensionistët apo fermerët.
Shkuma party e socialistëve nën drejtimin e Edi Ramës në pallatin e kongreseve ishte një akt i shemtuar mburrjeje e kërcimi para pasqyrës, dhe një refuzim arrogant i realitetit, i atij realiteti krejt të ndryshëm nga propaganda tashmë e dalë boje 11 vjeçare. Në këtë atmosferë ku nuk bëhet fjalë për analizë e reflektim, për marrje përgjegjësie, për vullnet për të korrigjuar diçka, sigurisht nuk mund të mungonte piedestali për lavdinë e madhështinë personale të shefit rilindas, i cili me një fjalim gjithnjë e më të gjatë e gjithnjë e më të lodhshëm, pa ide, pa fabul, pa kreativitet, foli shumë për veten e tij, për jetën e mëpastajme e plot gjëra për të cilat, ai nuk është aty. Ai është aty për të mbajtur premtimet që ka dhënë, për të qeverisur e për t’iu përgjigjur njerëzve.
Mund të jetë profet për një skotë që e duartrokasin pa u lodhur për ta kuptuar çka dashur të thotë, po në sytë e njerëzve e shumicës absolute të shqiptarëve, është kryeministri që ka dështuar në fushat kryesore, dhe që e ka zhytur vendin në aferat më të mëdha korruptive të këtyre 30 viteve, e ka krijuar me duart e veta lidhjet më të rrezikshme të krimit me politikën. Festa e atyre që adhurojnë të quajturin skenderbe e odise, mund të vijojë, e mund të jetë legjitime, po nuk ka asnjë pikë takimi kjo me çfarë po ndodh me njerëzit në jetën e përditshme. Pas 11 viteve në pushtet, ai sërish e gjen fajin tek Opozita.
Tani, ka nisur të kërkojë edhe armiq brenda radhëve të veta, duke i qortuar rëndë si thashethemexhinj. Dhe përgjegjësinë për atë pakogjë që nuk shkoka mirë në vend, e kanë si përherë ata që nuk marrin vendime. Demokratët, publicistët, ndonjë deputet. Asnjë bilanc, asnjë argument, asnjë vizion. Asnjë sqarim, së paku për anëtarët e partisë së tij, pse u ndryshuan 3 ministrat kryesorë, dhe çfarë do të sjellin këta të rinjtë. Thjesht një shfaqje në oborr, me befasi, e surpriza, sipas ndonjë ëndrre mëngjesi që i është fanitur mbretit. Një shkuma party në pallatin e kongresit të socialistëve, tallëse e përçmuese për çdo shqiptar. Duke ia ulëritur në sy, se nuk ka fare rëndësi çfarë ai, votuesi, qytetari, mendon, gjykon, e ka ndërmend të vendosë. Gjithçka e di ay, vetëm ay. E tëra në kokën e tij. Kjo shkuma party, ka arsye pse ndodh, pse derdhet në atë skenë. Arsyeja e parë, se nuk lejohet vota e lirë dhe e ndershme.
Arsyeja tjetër, është SPAK. Nëse struktura që shqiptarët shpresonin se do të sillte drejtësi, do të zhdukte pandëshkueshmërinë, do të bënte që, të gjithë të ishin të barabartë para ligjit, pra nëse kjo strukturë do të funksiononte, shumë prej të ftuarve të rreshtit të parë, ata duartrokitës të zellshëm, me hir e pahir, nuk do të kishin mundësi të ishin aty. Do të duhej të ishin duke dhënë llogari për aferat korruptive. Për shumë nga ato që dihen, e nga ato që po i tregon njeriu më i afërt me Ramën për një dekadë, Arben Ahmetaj. Derisa SPAK të jetë pjesë e regjistrit, e kalkulimeve të Kryeministrit, drejtësia do të jetë flluskë, e flluska të gëzuara do të shpërthejnë nga shkuma party e pallatit të kongresit socialist.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co