Përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizata joqeveritare në Kosovë i kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të konstituojnë sa më parë institucionin legjislativ, duke paralajmëruar pasoja serioze nga zvarritja e këtij procesi, përfshirë edhe vonesat në ratifikimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Në një reagim publik, shoqëria civile thekson se mosratifikimi i marrëveshjes për Planin e Rritjes rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare për Kosovën, por edhe dëmton kredibilitetin e saj si partnere e besueshme në proceset evropiane.
“U bëjmë thirrje deputetëve që të vendosin interesin publik dhe të ardhmen e qytetarëve përpara kalkulimeve të ngushta politike, dhe të ratifikojnë këtë marrëveshje sa më parë,” thuhet në reagim.
Sipas organizatave, ratifikimi i marrëveshjes së Planit të Rritjes dhe marrëveshjes për huazim është vendimtar për përfitimin e një parafinancimi prej 61.8 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Në total, Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro për zbatimin e reformave që lidhen me Agjendën e Reformave dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Plani i Rritjes i BE-së synon të përshpejtojë afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me bllokun evropian, duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike për reforma kyçe.
Megjithatë, Kuvendi i Kosovës vijon të jetë jofunksional, ndonëse seanca konstituive ka nisur që më 15 prill. Deri më tani, deputetët kanë dështuar në 23 tentativa për ta përmbyllur procesin, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të fundit, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat e konsiderojnë atë si figurë përçarëse. Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë, ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga LVV për këtë post.
Faktori ndërkombëtar ka bërë gjithashtu thirrje për themelimin e institucioneve të reja, pasi vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të nisë procesi për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
The post Shoqëria civile kërkon konstituimin urgjent të Kuvendit të Kosovës: Rrezikohet Plani i Rritjes dhe kredibiliteti ndërkombëtar appeared first on Gazeta Shqiptare Online.
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co