Një incident i rëndë është regjistruar në Kosovë, në prag të ndërrimit të viteve. Në në rrugën “Ahmet Prishtina”, në Prizren, ditën e djeshme kanë shpërthyer aksidentalisht lëndët piroteknike, duke bërë që një person të marrë lëndime të rënda.
I lënduari është lënduar rëndë në Prizren dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Për rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila shpejgon rrethanat e ngjarjes.
“Policia në Prizren dt. 31.12.2024 rreth orës 21:33 ka pranuar një informatë se në rrugën “Ahmet PRISHTINA” në Prizren, kishte ndodhur një shpërthim i zjarrit nga ndezja e një pike shitje e mjeteve piroteknike në trotuar të rrugës. Dhe si pasojë është përhap zjarri edhe në lokalet dhe ndërtesat për rreth kësaj pike shitjeje, deri më tani kemi një të lënduar i cili është në Emergjencë. Gjendja e tij është me lendime të rënda sipas informates është dërguar për në QKUK- Prishtinë. Si dhe deme materiale të shumta në objekte dhe automjete të parkuara në atë pjesë, janë informuar njësitet patrulluse të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë ndërmarrë veprimet ligjore në lidhje me këtë rast. Po astu në vend ngjarje për kanë dalë edhe njesiti i zjarrfikesve të cilet kanë arritur ta shuajnë zjarrin si dhe Inspektori i tregut i cili poashtu është në vend ngjarje, edhe teknika kriminalistike ka dalë në vendin e ngjarjes me hetuesin kujdestar. Duhet çekur se për momentin situata është nënkontrollin policor dhe janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti”, ka deklaruar Policia e Kosovës.
Ndërsa nga festimet në orët e ndërrimit të viteve janë lënduar 24 persona.