Policia e Shtetit ka reaguar sërish në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gramsh, ku një makinë ka shpërthyer dhe ka plagosur vëllezërit Algert dhe Erald Mine.
Sipas policisë, pas shpërthimit të mjetit, është ngritur një grup hetimor, që ka nxjerrë disa përfundime për ngjarjen. Efektivët shprehen se nuk ka pasur lëndë eksplozive nga jashtë në mjet dhe nuk ka indicie se kemi të bëjmë me ngjarje kriminale.
“Gramsh/Informacion shtesë
Në lidhje me informacionin e dhënë për një shpërthim të ndodhur në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, në automjetin tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje dhe për pasojë mbetën të dëmtuar dy vëllezërit që udhëtonin në këtë automjet, ju informojmë se:
Për sqarimin dhe dokumentimin e këtij rasti u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe në vendngjarje shkoi edhe njësia antieksploziv e Repartit Special Renea, për të kryer ekzaminime të mekanizmit e rrethaneve qe kishin ndikuar në shpërthimin e ndodhur në automjet.
Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit (pra nuk kemi të bëjmë me lëndë eksplozive) por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indicje për veprim kriminal ndaj të dëmtuarëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, njofton policia.
(balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co