Brisida Shehaj, deklaroi dje në “News 24” se SPAK beson se është selektiv. Shehaj theksoi se SPAK nuk po heton Belinda Ballukun, edhe pse ka bërë rrugën ThumanëKashar për 1.3 miliardë euro.
Sipas Shehajt, madje Balluku tha në Parlament “se fatura për këtë rrugë mund të shkojë më shumë”. “E keqja e këtij vendi është çdo zyrtar që vjedh, gjatë 30 viteve, Erion Veliaj, Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe plot të tjera… Belinda Balluku 1.3 mln euro harxhoi vetëm për ThumanëKashar. Balluku tha se shqiptarët madje duhet të paguajnë 1.4 miliardë euro, 1.5, sepse mund të tejkalohet shuma tha. Janë 1.3 miliardë euro e për çfarë duhet të merremi për një koncesion 100 mijë lekë?”, – theksoi Shehaj.
Kurse sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi u shpreh gjatë një komunikimi për mediat se drejtësia nuk ka asnjë provë që e përfshin Ilir Metën në korrupsion dhe se në burg po mbahet me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Blushi shprehet se arrestimi i kryetarit të PL ka si qëllim shkatërrimin e opozitës dhe se përgjigja e vetme ndaj qeverisë do të jetë përballja me popullin.
“Rrëmbimi terrorist i presidentit Meta nga banda terroriste e Edi Ramës dhe Altin Dumanit, e ngjashme me grupet paramilitare serbe dhe arrestimi i tij politik, e theksoj pa prova pa fakte dhe pa dëshmi nuk ishte gjë tjetër vetëm se vula përfundimtare e faktit se mafia ka tashmë drejtësinë e saj. E vetmja alternativë në këto kushte përballë kësaj mafia që ka shkelur çdo vijë të kuqe mbetet përballja pa mëshirë dhe dhëmb për dhëmb me narkoshtetin dhe me kryebanditin Edi Rama dhe kryeterroristin Altin Dumani. Në rast se zotit Meta i ndodh diçka e papritur përgjegjësia do të jetë personale e Edi Ramës”, – deklaroi Tedi Blushi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë e cilësoi arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë si arrestim politik dhe se të kryer pa prova dhe fakte. Në një konferencë për mediet, Blushi komentoi vendimin e gjykatës për të lënë në burg Metën.
“Vendimi politik për të lënë në arrest me burg, pa prova dhe fakte, Ilir Metën është qartësisht i diktuar nga mafia ndërkombëtare antishqiptare dhe i urdhëruar nga Edi Rama, që dëshmon rënien e shtetit ligjor dhe kapjen për fyti të drejtësisë, që është vendosur në shërbim të agjendës elektorale të Edi Ramës”- tha Blushi.
Sipas Blushit, e vetmja alternativë për Partinë e Lirisë dhe qytetarët, mbetet përballja dhëmb për dhëmb me narkoshtetin. “Qytetari i thjeshtë shqiptar është sot më i kërcënuar se kurrë. Pronat, liritë dhe të drejtat e tyre janë gjah i lehtë për mafien në pushtet dhe kjo vetëm sepse falë “Ramaformës” është kapur sistemi i drejtësisë. E vetmja alternativë për Partinë e Lirisë dhe qytetarët, përballë kësaj mafie, mbetet përballja dhëmb për dhëmb me narkoshtetin dhe kryebanditin Edi Rama”,-u shpreh Blushi. Dy ditë më parë GJKKO vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Metën, avokati i tij i shkoi dje për vizitë. Genc Gjokutaj u pa dje të shkojë tek burgu 313, aty ku presidenti i PL-së u transportua ditën e mërkurë pas seancës gjyqësore. GJKKO la në fuqi masat e mëparshme të sigurisë edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, Ema Çokut për detyrim paraqitje, si dhe ndryshoi masën për Piro Xhixhon nga arresti në shtëpi në detyrim paraqitje.
Mbi to rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Po ashtu gjykata la në fuqi masat e mëparshme të sigurisë ndaj deputetes Monika Kryemadhi, dhe dy persona të tjerë, si persona nën hetim si të dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Zoti Meta i është drejtuar me fjalë fyese e kërcënuese drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, i pranishëm në seancë. Me rinisjen e seancës pas disa orësh, zoti Meta dhe zonja Kryemadhi dhanë vetë shpjegime para gjykatës, por ato nuk mjaftuan për ta bindur gjykatën, që të ndryshonte masat e arrestit. Ish-presidenti Meta mësohet se ka zgjedhur që të japë vetë para gjykatës, dhe jo përmes avokatit, shpjegimet mbi materialet hetimore dhe episodet e dyshuara si korruptive të paraqitura në vendimin e GJKKO-së mbi masat e arrestit. Bëhet e ditur se me këto shpjegime zoti Meta ka vazhduar për rreth dy orë. Ai ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka shkelur ligjet, madje ka shtuar se “për një pjesë të episodeve që renditen në vendim”, ai nuk ka qenë në dijeni të ngjarjeve. Por shpjegimet e tij nuk bindën gjykatën, e cila vendosi ta lërë në burg./Gazeta Panorama