Mediat izraelite njoftuan të dielën se ndërmjetësuesit po shënojnë përparim lidhur me arritjen e një armëpushimi disa javor mes Izraelit dhe Hamasit, lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë si dhe të palestinezëve të burgosur në Izrael. Kabineti izraelit i luftës u mblodh të shtunën për të diskutuar mbi propozimin, por nuk pati një njoftim zyrtar rreth asaj që ishte vendosur.
Një sërë mediash izraelite, të cilat cituan zyrtarë pa i identifikuar ata, njoftuan se kabineti e kishte miratuar teknikisht marrëveshjen dhe se Izraeli do të dërgonte një delegacion në Katar për bisedime të mëtejshme.
Hamasi thotë se nuk është përfshirë ende në propozimin e fundit të hartuar nga Shtetet e Bashkura, Egjipti dhe Katari, por përmbajtja e njoftuar e marrëveshjes përputhet gjerësisht me kërkesat e mëparshme, për fazën e parë të armëpushimit. Udhëheqësi më i lartë politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, ishte në Kajro gjatë javës së shkuar.
Izraeli, ndërkohë, po planifikon zgjerimin e ofensivës në qytetin jugor Rafah, në kufi mes Gazës dhe Egjiptit, ku është zhvendosur më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh.
Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se ofensiva do të ishte katastrofë për banorët e zhvendosur. Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë i kanë bërë thirrje Izraelit që të shmangë lëndimin e civilëve.
Sulmet e ashpra vazhduan edhe të dielën në veri të Gazës. Banorët njoftuan për luftime të ashpra në lagjen Zaytoun, në qytetin e Gazës./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co