Akulli është thyer. Dy muaj më parë, Shqipëria mposhti një kombëtare të cilën nuk e kishte mundur ndonjëherë në histori që prej vitit 1997 kur shënohet edhe përballja e parë me Ukrainën.
Me dëshirën e madhe për të bërë mirë në një kohë kur shteti i tyre është në luftë, Ukraina nuk ka se çfarë të humbasë, madje edhe fitorja nuk mund t’i mjaftojë nëse ndeshja tjetër Çeki-Gjeorgji përfundon barazim. Si përkthehet diçka e tillë?
Që motivimi te kundërshtarët nuk është njësoj dhe për më tepër kur një ekip tenton fitoren dhe shtyn përpara, humbet ekuilibrin dhe këtu Silvinjo duhet të tregojë aftësitë e tij. Për Shqipërinë është një ndeshje që duhet ta luajë me zgjuarsi, të presë momentin e duhur, të ketë durim dhe pse jo me kundërsulmet e shpejta, njësoj si në disa prej ndeshjeve kualifikuese të Europianit, të godasë rivalin dhe t’i rrëmbejë tri pikët.
Nëse kjo është ndeshja e fundit me fanellën kuqezi për këtë vit dhe më pas Kombëtarja mund të rikthehet në muajin mars, të gjithë futbollistët kuqezinj i thërret detyra dhe duhet të bëjnë edhe një sforco të fundit për ta mbyllur kapitullin e Ligës së Kombeve jo me një skenar “horror”, siç mund të jetë rënia në Ligën C, por me ashensorin për lart, i cili sjell besim edhe për Botërorin 2026.
PANORAMASPORT.AL