NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ
Pjesëmarrja dinjitoze dhe e përsëritur e Shqipërisë në kampionatet ndërkombëtare po rrit ndjeshëm krenarinë tonë kombëtare dhe prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Këto janë përfitimet më të mëdha për vendin tonë nga kampionati “Euro 24”. Mediat ndërkombëtare si kurrë më parë nuk kanë pasur një fokusim kaq të madh dhe me sens pozitiv për Shqipërinë, për ekipin kombëtar, për trajnerin tonë dhe për disa prej yjeve të ekipit tonë kombëtar.
Ky përfitim do të vijë në rritje. Kanali kryesor i përfitimeve do të jetë rritja e gjeografisë dhe flukseve të turizmit gjithëvjetorë.
Aktualisht po diskutohet më shumë për përfitimet monetare të vendeve organizatore dhe të vendeve pjesëmarrëse nga “Euro 24”. Duke qenë se Shqipëria është një vend pjesëmarrës dhe joorganizatorë, përfitimet e saj monetare direkte dhe indirekte janë modeste. Por edhe për Gjermaninë si vend organizator, përfitimet janë simbolike. GDP-ja e saj është rreth 4.2 trilionë dollarë. Efektet shumëfishuese të aktiviteteve sportive mund t’i rritin përfitimet kur zgjerojnë shumëllojshmërinë e aktiviteteve sportive. Kur masivizohet sporti nga pjesëmarrja e femrave. Kur rritet investimi për klasat sportive zinxhir që nga grup-moshat e vogla. Kur rritet gjeografia e aktiviteteve sportive, duke filluar nga bashkësitë më të vogla lokale. Kur rritet kalendari i aktiviteteve sportive dhe kur rritet mbështetja për zgjedhjen e përfaqësuesve të Shqipërisë në forumet drejtuese të strukturave europiane dhe botërore të qeverisjes sportive.
Pranohet të paktën për Europën, se futbolli është sporti më popullor, ku efekti shumëfishues ka potencial të madh për përfitime direkte dhe indirekte në ekonomitë vendëse, veçanërisht në atë lokale. Gjeografia e aktiviteteve sportive duhet të zgjerohet. Kjo vlen edhe në rastet kur ekziston mundësia e bashkëpunimit dhe konkurrencës me federatat e vendeve të tjera për të organizuar aktivitete të rëndësishme të UEFA-s dhe të çdo konkurrimi sportiv ndërkombëtar. Diplomacia sportive duhet të jetë prioritare edhe në politikën tonë të jashtme. Jo rastësish lobimi për të qenë organizatorë i aktiviteteve sportive ndërkombëtare fillon nga angazhimi i liderëve politikë të këtyre shteteve. Shumat nga pjesëmarrja në kampionate dhe financimi i projekteve promovuese sportive për të gjitha grupmoshat që UEFA dhe FIFA u japin ekipeve kombëtare pjesëmarrëse janë një burim i rëndësishëm për projektet e federatave kombëtare. Projektet e financimit për përhapjen e sportit te fëmijët dhe femrat sjellin efekte pozitive të dukshme edhe një ndikimin më të madh pozitiv të sportit në shëndetin e popullatës. Obeziviteti, problemet e shëndetit mendor, sëmundjet kardiovaskulare edhe te të rinjtë, varësia nga drogat dhe bixhozi janë sfida që po bëhen më kërcënuese.
Sporti ka efekte parandaluese dhe me koste shumë më të lirë se kurimi i tyre i vonuar. Për shkak të efektit më të madh të aktiviteteve ndërkombëtare në rritjen e prestigjit kombëtar ekziston një garë midis vendeve për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive. Një grup janë shtetet që duan t’i përdorin këto ngjarje për të ndryshuar perceptimin publik për udhëheqësit diktatorialë. I tillë është rasti i rritjes së aktivizmit ndërkombëtar në vendet e Lindjes së Mesme apo lojërave olimpike të Sochit më 2014, ku shumë liderë botërorë e bojkotuan ceremoninë e hapjes. Shqetësimi ndërkombëtar kundër shkeljes së të drejtave të njeriut është në rritje, por për shkak të të ardhurave të konsiderueshme nga këto vende si organizatorë, organizatat ndërkombëtare sportive tregohen të buta me shkeljen e të drejtave të njeriut vetëm për të arritur synimin për rritjen e të ardhurave te institucioneve të tyre. Ekziston një grup vendesh që konkurrojnë për të organizuar aktivitete të mëdha sportive për të rritur krenarinë kombëtare dhe këtu mund të përfshihet lojërat olimpike të organizuar nga Greqia më 2004 në përvjetorin e 100 të organizmit të parë të tyrë në vitin 1904. Në këtë rast kostot e organizimit të tyre u rriten disafish, ndërsa kostot e rënda të mirëmbajtjes imponuan deri braktisjen e tyre.
Është një grup i tretë i vendeve organizatore që ndjekin rotacionin natyral të organizimit të aktiviteteve të mëdha sportive, siç është rasti aktual i Gjermanisë. Vlerësohet se një performancë e fortë në “Euro 24” ndez krenarinë kombëtare dhe ndjenjën e solidaritetit mes qytetarëve. Tifozët kombëtarë, mbështetja mahnitëse e ekipeve kombëtare dhe pasqyrimi mediatik i aktiviteteve të tilla sportive mund të krijojnë një frymë të fortë solidariteti jo vetëm të kombëtares, por deri edhe të një kombi. Rritja e reputacionit ndërkombëtar përmes ekspozimit në media është një promovim me efekt të madh dhe kosto minimale. “Euro 24” është një ngjarje e madhe sportive me vëmendjen e medias globale. Ekipet dhe lojtarët pjesëmarrës fitojnë ekspozim ndërkombëtar, duke rritur potencialisht reputacionin e vendit dhe karrierën e tyre personale. Më shumë se kurrë në “Euro 24” mediat e huaja kanë promovuar tifozërinë shqiptarë, performancën e ekipit tonë kombëtarë, trajnerin dhe Federatën Kombëtare të Futbollit.
Me paraqitjen dinjitoze në “Euro 24” shpresohet rritje e probabilitetit që më shumë sportistë jo vetëm të kombëtares, por kryesisht kombëtareve tona të preferohen nga ekipet ndërkombëtare.
Vlerësohet se “Euro 24” mund të jetë një platformë promovuese për lojtarët e talentuar për të treguar aftësitë e tyre në nivel të lartë. Kjo mund të çojë në rritje të interesit nga klubet kryesore, duke rezultuar potencialisht në transferime lojtarësh dhe shifra më të larta.
Vendi ynë po synon ta rritë mbështetjen për sportin dhe ta konsiderojë një prej kolonave kryesore të strategjisë kombëtare të rritjes ekonomike të qëndrueshëm dhe solidare. Federatat dhe qeveria në mënyrë periodike duhet të rishikojnë strategjinë e zhvillimit të sporteve. Rritja e numrit të aktiviteteve, e gjeografisë së aktiviteteve, rritja e shumëllojshmërisë të sporteve që thithin të rinjtë, që krijojnë premisa pozitive për promovimin e femrave në sport, rritja e diplomacisë sportive dhe promovimi i të zgjedhurve nga federatat tona kombëtare në strukturat drejtuese të federatave ndërkombëtareve, siç është rasti i presidentit Duka të Federatës Kombëtare të Futbollit. Rritja e prestigjit ndërkombëtar nëpërmjet përfaqësimit me krenari kombëtare dhe maksimizimi i përfitimeve të drejtpërdrejta, indirekte dhe të nxitura do të vijnë në rritje për një numër gjithnjë e më të madhe të shqiptarëve. Efektet pozitive të sporteve në luftën kundër fenomeneve që i shtyjnë të rinjtë drejt drogave vrastare, kumarit, pesimizmit dhe depresionit do të rriten në nivel individual, familjar dhe kombëtar.
Ja përse duhet që krenarinë kombëtare nga sukseset e sportit t’i shumëfishojmë edhe nëpërmjet profileve të larta në sport, art dhe shkencave qe sjellin ndikim përcaktonjës në profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Padyshim që Mira Murati na bënë krenar për sukseset e saj mahnitëse në inteligjencën artificiale, pa dyshim që Dua Lipa është një emblemë e krenarisë kombëtare, por ka edhe shumë shqiptarë të talentuar që po pushtojnë mediat ndërkombëtare. Kjo e bënë krenarinë kombëtare gjithnjë e më të madhe dhe të përhershme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co