Situata nga zjarret në vend paraqitet problematike, ku raportohet për disa vatra në mbarë Shqipërinë. Bashkimi Evropian do të ofrojë mbështetje emergjente për Shqipërinë dhe Greqinë, që prej disa javësh po luftojnë me zjarret.
Komisioni Evropian po mobilizon mbështetje emergjente për Greqinë dhe Shqipërinë, të cilat kanë aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së në përgjigje të zjarreve të fuqishme. Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERÇ) ka mobilizuar menjëherë burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve nga disa vende evropiane që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile për të ndihmuar Greqinë.
Kjo mbështetje përfshin dy avionë zjarrfikës “rescEU” nga Italia, një helikopter “rescEU” nga Franca dhe një helikopter të ofruar nga Serbia. Për më tepër, ekipet e zjarrfikësve në tokë janë vendosur nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania, ndërsa zjarrfikësit rumunë, maltezë dhe moldavë, të propozuar tashmë në Greqi, ishin ndër reaguesit e parë që luftuan me zjarret në Greqi. Mbështetja për Shqipërinë përfshin një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet 6 tonë ujë. Avioni do të dislokohet më 14 gusht.
Komisioni po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme sipas nevojës. Si pjesë e masave të saj të gatishmërisë për sezonin e sivjetshëm të zjarreve, BE-ja ka përmirësuar “rescEU” dhe Rezervën Evropiane të Mbrojtjes Civile, e cila tani përfshin 28 aeroplanë dhe 4 helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare. Për më tepër, gjatë sezonit të zjarreve, mbi 540 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në vende kyçe në të gjithë Evropën, të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve kur është e nevojshme.
Mbështetja për Greqinë do të konsistojë në dhënien e mjeteve tokësore dhe ajrore, që do të garantohen nga vende të tjera evropiane në kuadër të Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile.
“Për rajonin e Atikës në Greqi, Komisioni ka angazhuar dy mjete nga Italia, një helikopter nga Franca dhe një tjetër helikopter nga Serbia. Gjithashtu do të dërgohen forca në terren nga 5 vende evropiane; ato janë Çekia, Italia, Franca, Serbia dhe Rumania. Këto janë veçmas zjarrfikësve që janë dërguar në Greqi në fillim të sezonit”, tha Balazs Ujvari, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Ndërsa Shqipëria do të marrë një avion multifunksional nga Rumania, i cili mund ta mbajë deri në 6 tonelata ujë. Dy vendet aktivizuan Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, pasi u përpoqën të vendosnin nën kontroll zjarre të shumta, të cilat kanë përfshirë jugun e Shqipërisë dhe periferitë veriore të Athinës. Ndihma vjen gjithashtu pasi BE ka njoftuar injektimin e 600 milionë eurove në mekanizmin mbrojtës, për të përforcuar kapacitetet zjarrfikëse nga ajri, përballë numrit në rritje të zjarreve që bien në kohë vere në Evropë.
Për të tretën ditë me radhë, Greqia po vazhdon betejën kundër zjarreve masive afër Athinës, përderisa qindra zjarrfikës evropianë pritet t’iu bashkohen përpjekjeve për të shuar zjarrin vdekjeprurës që ka prekur pjesë të mëdha në periferi të kryeqytetit grek. Pothuajse e njëjta situatë është edhe në Shqipëri. Në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit zjarri është aktiv prej ditës së hënë dhe deri tani janë djegur 15 hektarë me kullota e pyje të djegura. Autoritetet vendore sqaruan se vatra ndodhet në zonën e “Majës së Çukës”, aty ku mbahet pelegrinazhi i përvitshëm i besimtarëve bektashinj. Më e dëmtuar ka qenë kurora e pishave në atë zonë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co