“Shqipëria po plaket”- Tabaku në Parlament: Buxheti 2025 i papërgjegjshëm dhe larg interesave të qytetarëve

shqiperia po plaket tabaku ne parlament buxheti 2025 i papergjegjshem dhe larg interesave te qytetareve








































Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti një fjalim të fuqishëm në Parlament, ku kritikoi ashpër buxhetin e vitit 2025 dhe politikat ekonomike të qeverisë.

tabaki

Ajo argumentoi se buxheti i ri nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe favorizon një ekonomi të ndërtuar mbi interesat e ngushta të oligarkëve dhe bizneseve të mëdha, duke përjashtuar përfitimet për qytetarët e zakonshëm.

Tabaku e konsideroi buxhetin e propozuar si “të papërgjegjshëm” dhe si një vazhdimësi e një modeli që ka çuar në varfërimin e shqiptarëve dhe plakjen e popullsisë.

“Shqipëria po plaket. Shumica e shqiptarëve janë pensionistë dhe qeveria kujtohet për ta vetëm kur afrohen zgjedhjet,” tha Tabaku, duke theksuar se rritja e çmimeve dhe kushtet ekonomike po i shtyjnë të rinjtë të largohen nga vendi. Sipas saj, rritja e kostos së jetesës me mbi 55% gjatë dekadës së fundit është pasojë e drejtpërdrejtë e kapjes së tregut dhe monopolizimit të tij nga një grusht biznesesh, që kanë krijuar një klimë oligopoliste.

Tabaku u ndal gjithashtu tek politika fiskale, duke e cilësuar si të pabarabartë dhe të ngarkuar me taksa që nuk mbështesin as sipërmarrësit, as qytetarët e zakonshëm.

Ajo nënvizoi se taksa e shtresuar me 5 apo 6 nivele nuk stimulon ekonominë, por shërben si një mjet për të rënduar xhepat e qytetarëve. Në vend të një modeli që përqendrohet tek ndërtimi i qendrave urbane dhe përfitimet për oligarkët, ajo sugjeroi një kalim drejt një ekonomie të mbështetur tek industria, bujqësia dhe turizmi – një model ekonomik që përfshin dhe zhvillon të gjitha shtresat e shoqërisë.

Përveç ekonomisë, Tabaku ngriti shqetësimin mbi trajtimin e pensionistëve, duke e cilësuar kujdesin e papritur të qeverisë ndaj tyre si një veprim elektoral dhe të vonuar.

“Kur bëtë Reformën e Pensioneve, nuk arritët t’u ofroni pensionistëve një shpërblim dinjitoz, por sot kujtoheni për ta vetëm se u duhen votat. Rritja qesharake e pensioneve me 20 lekë në ditë nuk është zgjidhje për një situatë ekonomike që po rëndon gjithnjë e më shumë mbi shpatullat e tyre,” tha ajo.

Duke përfunduar fjalimin e saj, Tabaku kritikoi edhe planin e qeverisë për të ulur informalitetin, duke vënë në dukje se këto janë aksione periodike që nuk i japin zgjidhje shkakut të vërtetë të informalitetit, i cili sipas saj buron nga politika e taksave të larta dhe sistemi fiskal i ngarkuar. Ajo theksoi se vetëm një ofertë e vërtetë ekonomike, që punon për qytetarin dhe që përqendrohet në sektorët e domosdoshëm për zhvillim si arsimi, infrastruktura dhe shëndetësia, mund ta rikthejë shpresën tek qytetarët.

Në mbyllje, deputetja e PD-së deklaroi se arkitektët dhe ideatorët e këtij sistemi të kapur dhe të korruptuar nuk mund të sjellin ndryshimin që shqiptarët kërkojnë. Ajo theksoi se vetëm Partia Demokratike, me një ofertë të re ekonomike dhe një model të ri zhvillimi, mund të përmbushë nevojat e vërteta të qytetarëve shqiptarë dhe të rikthejë ekonominë për të punuar për shumicën, jo vetëm për një pakicë të privilegjuar.

Fjala në kuvend:

Politika, si çdo gjë tjetër, është besim se mund të ndryshosh diçka dhe është besim që me mundin, kontributin dhe punën mund t’ia dalësh. Pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se nuk ia dalin. Ata mendojnë se këtu, me të drejtën, me kontributin, me meritokracinë, nuk ia del dot. Me ministrin nuk patëm mundësi të debatonim dje, por dua të ndalem në dy momente që nuk lidhen me marrëveshjen, por lidhen me marrëdhëniet tona me besimin ndaj qeverisë.

Pensionet janë një nga këto çështje, sepse kam parë qeveritarët që kohët e fundit kanë nisur të dalin me foto e takime me pensionistët, të cilët këto vite kanë shkuar nga 500 mijë në 800 mijë. Sot, politika po u drejtohet pensionistëve ngaqë shumica e shqiptarëve janë pensionistë dhe sepse 40% e forcës së punës është larguar nga vendi ynë. Ky realitet i trishtë dhe ky realitet që sot të gjithë e shohin në familjen e tyre tregon se Shqipëria po plaket.

Shqipëria sot nuk është Shqipëria dinamike, vendi dinamik me të rinj e të reja që kërkonin të investonin, ndërsa sot duan të ikin dhe të largohen. Ndërsa debati me pensionistët që bëni sot është një debat që duhej të ndodhte dhjetë vite më parë, kur bëtë Reformën e Pensioneve që nuk arritët dot t’u jepni pensionistëve atë shpërblim dinjitoz që i gënjyet. Por sot që janë zgjedhjet dhe u duhet vota, kujtohen që po vuajnë pensionistët. Rritja e çmimeve në këto dhjetë vite ka qenë 55%, e shkaktuar nga faktorët e brendshëm. Një rritje çmimesh e papërballueshme për qytetarët, e shoqëruar me kostot e produkteve më të larta se në çdo treg tjetër rajonal apo evropian.

Dhe kjo rritje vjen si pasojë e kapjes së tregut dhe mbylljes së tij me biznese që kanë kapur të gjithë rrjetin e shpërndarjes ose janë formuar në mënyrë oligopoliste duke monopolizuar shitjen. Një tjetër provë se si është kapur ekonomia. Prandaj sot qeveria nuk i jep dot përgjigje asnjë shqetësimi real për shqiptarët; përse çmimet janë më të lartat? Përse rritja e çmimeve tona është më e madhe? Përse pensionistët shqiptarë kanë pensionet më të ulëta?! Në fakt, përgjigja e tyre është ajo e rritjes qesharake prej 20 lekësh në ditë, dhe e dini çfarë do të ndodhë? Këtu do jemi, qeveria shqiptare do t’u japë një bonus në fund të vitit. Mund të jetë mbase një rritje e mirë, por prapë mbetet lëmoshë përpara zgjedhjeve ndërsa ata vuajnë përditë.

Kjo qeveri nuk i jep dot zgjidhje as skemës së pensioneve që po zhbëhet, as situatës së shqiptarëve që largohen dhe as problemit të çmimeve sepse ato janë problemi.

Ekonomia shqiptare ka nevojë të shihet nga një prizëm tjetër; nga një model i fokusuar te ndërtimi i një ekonomie që zhvillon industrinë. Nga një model ekonomik ku ulet bujqësia në një model ekonomik ku rritet turizmi dhe ndihmon bujqësinë. Një model ekonomik që stimulohet nga një politikë fiskale miqësore me ekonominë, që nuk vjen as me buxhetin e sotëm as me të djeshmin.

Buxheti 2025 që po diskutohet në kuvend nuk ka asnjë ndryshim në filozofi, në logjikë dhe në politikat e ndërmarra, madje nuk ka asnjë investim të drejtë dhe novator në sektorët e duhur ekonomik për rritjen ekonomike. Vazhdon avazi i njëjtë.

Sot, konsumatorët shqiptarë mund të kishin përfituar nga ulja e çmimeve si pasojë e uljes së kursit të këmbimit, por as për këtë nuk përfitojnë. Edhe pse kursi i këmbimit po shkatërron sektorin fason, që mund të hedhë në rrugë 75 mijë punonjës dhe të çojë në zero një sektor ekonomik ku janë investuar miliona euro gjatë këtyre viteve. Pra, zhvlerësimi i euros nuk po ndihmon konsumatorët dhe as rritjen ekonomike të fasonerisë; përkundrazi, e bën më të shtrenjtë për shqiptarët dhe më keq për të punësuarit në fasoneri.

Ky buxhet i vitit 2025 është i bazuar në abstraktimin e parave, pasi rritjen ekonomike e bazon vetëm në sektorin e ndërtimit dhe kësaj krize në ekonominë tonë. Një buxhet që nuk ka shpërndarje të të ardhurave dhe rritjes ekonomike; vetëm në ndërtim dhe projektet e ndërtimit. Dhe këto janë shqetësime që janë thënë ndër vite, që janë diskutuar nga ana jonë me kalimin e kohës.

Sa herë që dëgjoni se po dalin në luftë kundër informalitetit, atëherë përherë ta dini që kanë një hall të madh që duan ta mbulojnë. Se kanë dështuar diku. Nuk kanë qenë të pakta këto aksionet anti-informalitet, që janë me gjasë 8 aksione që nuk merren me shkakun e informalitetit që është politika e taksave. Një strukturë taksash me 5 apo 6 shtresa që nuk mbështet as punën, as sipërmarrjen dhe as frymën.

Një buxhet aq larg nevojave të shqiptarëve që e ndjen sapo takon disa grupe njerëzish ose interesi. Me keqardhje shoh dhe dëgjoj se pyetja e tyre kryesore është se kur do mund të largohemi, sepse kualifikimet tona profesionale nuk vlejnë në Shqipërinë që nuk e do meritokracinë. Kjo mungesë shprese vjen pikërisht nga ky model i ekonomisë së kapur, modeli i një ekonomie të kapur keq që nuk prodhon më për 95% të shqiptarëve. Prandaj ne duhet ta ndryshojmë këtë model. Sepse ky model prodhon një buxhet që nuk i shërben shqiptarëve dhe nuk shkon në sektorët e duhur si fjala vjen te onkologjiku, siç e folëm pak më herët në këtë sallë, por shkon te koncesionet dhe PPP-të.

Që nuk i çon shpenzimet e bujqësisë ku duhet, por i çon për t’u shpërndarë për tollonat e naftës elektorale. Edhe kjo është historia me çdo sektor tjetër që është i domosdoshëm për t’u pasur në mendje; arsimi, infrastruktura e kështu me radhë.

Modeli ekonomik që shkon dhe dërgon paratë e taksave të shqiptarëve te ato pak biznese që bëjnë pazar me taksat e shqiptarëve. Por këtë model nuk mund ta ndryshojnë arkitektët dhe ideatorët e 12 buxheteve që kanë prodhuar këtë sistem të kapur dhe të korruptuar që nuk punon për ju! Por vetëm ne mund ta ndryshojmë për qytetarët shqiptarë përmes një oferte ekonomike që punon për qytetarin dhe jo anasjelltas. Një mundësi që e jep veç PD. Ata që janë shkaku i sëmundjes nuk është oferta që ne kërkojmë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →